Me mure të mykura, inventar të vjetër e me brejtës, nxënësit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan janë përballur gjatë këtij viti shkollor. Një objekt i ri i kësaj shkolle ka filluar të ndërtohet që para katër vjetësh, por ka ngecur në realizim pasi operatori ekonomik i kontraktuar t’i kryejë obligimet e parapara me kontratë është tërhequr për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve. E Ministria e Arsimit ende nuk ka hapur ritenderim.
Mbi 900 nxënësit e shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, procesin mësimor këtë vit e zhvilluan bashkë me brejtësit.
Për shkak të vjetërsisë së objektit, drejtori i shkollës, Qazim Maloku, alarmoi se personeli dhe nxënësit kanë mbajtur procesin mësimor duke e rrezikuar shëndetin e tyre.
“Këtu fëmijët ushqehen e ndoshta shpeshherë nuk pastrohet ka ndonjë troshë që mbetët meqë ajo kundërmon dhe ata mund të vijnë dhe të kërkojnë ushqim. Në këtë pikë ne kemi pasur shqetësim, sepse edhe unë vetë jam familjar dhe aty ku kalon një brejtës unë ndihem i shqetësuar, duke pasur parasysh edhe infeksionet që mund të vijnë nga ta”, ka thënë Maloku.
Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetit, alergjenët e minjve në ndërtesat e shkollave janë ndër faktorët që shkaktojnë astmën tek fëmijët.
Nxënësit kanë thënë mbrapa kamerave se ka pasur raste kur për shkak të minjve e kanë ndërprerë orën mësimore. Por drejtori i shkollës e ka mohuar këtë.
Ata mësimin do të vazhdojnë ta mbajnë në po të njëjtat hapësira edhe në vitin e ri shkollor, pasi objekti i ri i që ka filluar të ndërtohet që para katër vjetësh, nuk është afër finalizimit. Sipas Ministrisë së Arsimit, punimet kanë ngecur në realizim si pasojë e pandemisë dhe inflacionit.
Por edhe pse punimet kanë ngecur që nga viti i kaluar, ministria ende nuk ka hapur ritenderim.
“Ndërtimi i SHFMU ‘Lidhja e Prizrenit’ në Deçan, nga Operatori Ekonomik i kontraktuar për punimet në këtë objekt, ka ngecur në realizim si pasojë e pandemisë si dhe inflacionit gjatë viteve 2021 dhe 2022. MASHTI duke respektuar kushtet e kontratës dhe Ligjin e Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës është në fazën e shkëputjes së kontratës me këtë operator dhe për punët e mbetura do të bëhet ri tenderimi brenda muajve në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Sipas menaxhmentit të shkollës, zvarritja e punimeve i ka penalizuar edhe në furnizimin me pajisje të kabineteve.
“Ne duke shpresuar në ndërtimin e shkollës edhe komuna i ka stagnuar edhe investimet në kabinete për shkak të daljes në shkollën e re dhe që të mos shpenzohen dhe të mos dëmtohen gjithë ai material që ka mundur të vendoset këtu. Duke pasur parasysh këtë ne kemi pritur edhe ndërtimin e shkollës dhe ky stagnim ka qenë i kabineteve vetëm për shkak të ndërtimit të shkollës së re dhe jo për shkak të mospërkushtimit”, ka thënë Maloku.
Për objektin i cili ka mbetur në gjysmë janë harxhuar afro 400 mijë euro.
© KOHA.