Rezultatet e dobëta të nxënësve në teste ndërkombëtare nuk u kanë shërbyer institucioneve të Kosovës për të ndërmarrë veprime në funksion të adresimit të mangësive në sistemin arsimor, vlerësojnë njohës të kësaj fushe. Për pasojë, tri javë para shpalljes së rezultateve të testit PISA nuk shprehen pritje për rangim më të mirë sesa në dy testet paraprake kur nxënësit kosovarë dolën ndër të fundit
Më 5 dhjetor do të publikohen rezultatet e Programit për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur si testi PISA, të cilit iu nënshtruan pesëmbëdhjetëvjeçarët në maj të vitit të shkuar.
Rezultate të mira nuk presin as këtë herë nga komuniteti arsimor.
Skënder Halimi, drejtor në shkollën fillore “Hilmi Rakovica”, ka thënë se turpërimi nga rezultatet paraprake nuk ka ndikuar në ndryshimin e sistemit arsimor. Sipas tij, ende mbizotëron mësimi përmendësh dhe jo analitik.
“Edhe më tutje në shkollat tona qëndron problemi se mësimi është i fokusuar në përmbajtje, jo në rezultate dhe jo në zhvillim të kompetencave të fëmijëve. Mendoj që njëra prej problemeve kryesore është kjo”, ka thënë ai.
Halimi, i cili ka qenë edhe administrator i testit PISA, ka ilustruar me një shembull ngecjen e nxënësve kosovarë në këtë test.
“Në fillim të tekstit ka qenë koopertina e romanit ku shkruan autori, titulli i romanit dhe shtëpia botuese në fund, pas kësaj kanë pasur të lexojnë një tekst dhe pyetja në fund për atë faqe që e kanë lexuar, ka qenë shumë e thjeshtë, kush ishte autori, si quhej romani dhe kush ishte shtëpia botuese. Shumica e fëmijëve tanë e kanë kaluar këtë pjesë duke u munduar me e gjet (përgjigjen v.j.) te teksti që e kanë lexuar, e përgjigjja ka qenë qysh në faqen e parë”, ka treguar ai.
Rezultatet të cilat vunë në pah se nxënësit kanë vështirësi në të kuptuarit gjatë leximit, sipas drejtorit në organizatën “Etea”, Agon Ahmeti, nuk ka alarmuar institucionet që të trajtojnë seriozisht mangësitë në sistemin arsimor.
“Strategjia e Arsimit 2022-2026 e cila në fakt nuk i trajton thellësisht rezultatet e dala të testit PISA, flas specifikisht në aspektin e të menduarit dhe të lexuarit. Kemi disa objektiva strategjike që asnjëri nuk i dedikohet kësaj çështjeje, përmendet kalimthi në hyrje të strategjisë që ndikon drejtpërdrejt në të gjitha lëndët shkollore, por çuditërisht nuk trajtohet në objektiva strategjike”, ka thënë ai.
Në Strategjinë e Arsimit 2022-2026 i kushtohet më shumë rëndësi digjitalizimit të arsimit dhe ngritjes së arsimit dhe aftësimit profesional.
Ahmeti ka thënë se institucionet ndër vite janë munduar që t’i mësojnë nxënësit se si të plotësohet testi PISA, duke ua përforcuar metodën e punës mekanike.
“Një qasje që e kanë pasur institucionet e ka forcuar prapë punën mekanike, i është vënë në theks sesi duhet të punohet, sesi duhet të plotësohet testi PISA, sesi përdoret kompjuteri për të plotësuar testin, por jo të trajtohen pikat kyç që kanë dalë nga testi PISA”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo është një qasje mashtruese.
Se Ministria e Arsimit nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të identifikuar arsyen se pse nxënësit kanë rezultate të ulëta në testet ndërkombëtare, është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në vitin 2022.
Në këtë auditim theksohet se analizat që i ka pranuar ekipi auditues nga MASHTI kanë qenë të mangëta. Në raportet e Ministrisë nuk përfshihen shkaqet, efektet apo rekomandimet që adresojnë rezultatet në nivel kombëtar dhe që ndikojnë në eliminimin e mangësive në sistemin e arsimit.
Nga Ministria nuk i janë përgjigjur interesimit të KOHËS përkitazi me kritikat e shprehura.
Testi ndërkombëtar i PISA-s zhvillohet çdo tre vjet dhe i mat arritshmëritë vetëm të pesëmbëdhjetëvjeçarëve në tri kategori të njohurive: të shkencës, të matematikës dhe të të kuptuarit gjatë leximit. Gjatë testimit vlerësohet performanca e nxënësve mbi detyrat nga jeta reale, të cilat konsiderohen të rëndësishme për pjesëmarrje efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës.
Testimit të fundit i janë nënshtruar rreth 7 mijë nxënës të lindur në vitin 2006 nga 237 shkolla të Kosovës. Përzgjedhja e tyre është bërë në mënyrë rastësore nga sistemi elektronik i PISA-s.
Në rezultatet e testit të parë të PISA-s, i mbajtur në vitin 2015, nxënësit nga Kosova janë radhitur në vendin e 68-të në mesin e 72 vendeve pjesëmarrëse. Në të dytin, i cili është mbajtur më 2018, 15-vjeçarët kosovarë kanë zënë vendin e 77-të mes 79 shteteve të botës. Testi i vitit të shkuar ka qenë i paraparë që të mbahej gjatë vitit 2021, porse është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19. / KOHA