Komuna e Fushë-Kosovës do të organizojë të mërkurën, më 4 mars 2026, një tryezë me temën: “Cilësia në Arsimin Parauniversitar dhe masat që duhet ndërmarrë me qëllim përmirësimin.”
Në njoftimin e komunës thuhet se në këtë tryezë do të marrin pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare, ekspertë të arsimit, drejtorë shkollash, trajnerë dhe mësimdhënës, me qëllim diskutimin e masave konkrete për përmirësimin e cilësisë së arsimit parauniversitar dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, shkruan AlbanianEducation.net.
Ngjarja zhvillohet në ora 10:00, në Restaurant “Holiday Resort” në Sllatinë të Madhe (në dalje të saj, ana e majtë në drejtim të Komoranit).
Postimi i plotë:
Kabineti i Kryetarit të Komunës dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë-Kosovë, të mërkurën, më 4 mars 2026, në ora 10:00, në Restaurant “Holiday Resort” në Sllatinë të Madhe (në dalje të saj, ana e majtë në drejtim të Komoranit), organizojnë tryezën me temën “Cilësia në Arsimin Parauniversitar dhe masat që duhet ndërmarrë me qëllim përmirësimin.”
Në këtë tryezë janë ftuar për pjesëmarrje një numër i konsiderueshëm përfaqësuesish të OJQ-ve, ekspertë të arsimit, drejtorë shkollash, trajnerë të ndryshëm dhe mësimdhënës.
Çështjet të cilat do të shtrohen më specifikisht në këtë tryezë:
1. Mbingarkesa në disa shkolla; krijimi i hapësirave të reja shkollore sipas kritereve dhe kushteve infrastrukturore më bashkëkohore.
2. Krijimi i kushteve për mësim kabinetik me inventar, mjete dhe pajisje digjitale e të tjera mësimore sipas standardeve më moderne.
3. Trajnimi i mësimdhënësve me programe që në fokus kanë metodologjitë më të avancuara të mësimdhënies.
4. Delegimi i stafit profesionist nëpër shkolla, sipas UA-ve përkatëse: pedagogë, psikologë, mësues mbështetës, asistentë, këshilltarë të karrierës, si dhe specialistë të IT-së.
5. Trajnimi i mësuesve mbështetës dhe i të tjerëve me programe të veçanta të mësimdhënies për rastet me sindromën Down, autizëm, hiperaktivitet, çrregullime logopedike, zhvillim të vonshëm, raste me sjellje delikuente etj.
6. Dhuna në shkolla dhe masat që do ta parandalonin atë dhe që do të rrisnin sigurinë.
7. Të ndryshme
Komuna e Fushë-Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, dialogut dhe mbështetjes së çdo iniciative që kontribuon në zhvillimin dhe mirëqenien e komunitetit tonë.