Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitet 2023/2024, me 61 vota për dhe katër kundër.
Pas shumë orësh diskutim në Kuvendin e Kosovës, e me përplasje të ashpra me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci të cilën opozita e akuzonte për keqpërdorim lidhur me këtë proces, ka arritur të themelohet ky komision.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se themelimi i komisionit hetimor për çështjen e teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024, do të ishte më mirë që të hidhet dritë mbi këtë çështje, e siç tha ai ndoshta mos të paragjykohet.
Deputeti Tahiri tha para deputetëve në Kuvendin e Kosovës se në vitin 2016-2017 me 247 mijë nxënës në Kosovë janë financuar librat me gjashtë milion euro e gjysmë, derisa në 2022-2023 me 30 mijë nxënës më pak, ai thotë se librat janë blerë 19 milionë euro.
Ai ka kërkuar që të shoh këtë proces se si ka ardhur deri te kjo rritje e çmimit, ku me 30 mijë nxënës më pak është paguar trefish më shumë.
“Nuk është një çështje që mund ta trajtojmë përmes në një seancë të jashtëzakonshme, nuk është as një çështje që mund ta bëjmë përmes një debati, e vetmja mundësi ka qenë ta thërrasim themelimin e një Komisioni Hetimor ku do të hedhim dritë dhe ndoshta nuk po paragjykojmë, ndoshta del që ka qenë më mirë dhe mund të themi që të vazhdoj edhe vitet e tjera, s’po paragjykojmë. Ne po kërkojmë që të shikojmë procesin sepse për herë të parë është ndalë financimi i librave dhe është financuar fatura që prindërit i kanë blerë. Në vitin 2016-2017 në 247 mijë nxënës në Kosovë janë financuar librat me 6 milionë euro e gjysëm. Në vitin 2022-2023 me 30 mijë nxënës më pak, apo rreth 210 mijë nxënës në Kosovë librat janë blerë 19 milionë euro. A ka mundësi me e pa në këtë proces se pse ka ardhur deri të rritja e çmimit, s’po paragjykojmë. Ta shohim procesin qysh është bërë me 30 mijë nxënës më pak me ne me paguar trefishin e çmimit”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci tha se mezi presin për themelimin e këtij komisioni, sipas saj për të hetuar të gjitha keqpërdorimet që e kanë ndodhur ndër vite kur partitë e tjera kanë udhëhequr Ministrinë e Arsimit.
“Ndonëse kërkesa e PDK-së për themelimin e këtij komisioni hetimor parlamentar është e bazuar krejtësisht në të pavërteta dhe në pasaktësi, unë personalisht, gjitha kabineti im dhe gjithë kolegët në ministri, mezi presim themelimin e këtij komisioni dhe të flasim për këtë temë sepse po, duhet hetuar të gjitha abuzimet për keqpërdorime që kanë ndodhur ndër vite, ndërkohën kur PDK-ja udhëhiqte më Ministrinë e Arsimit. Por, jo vetëm PDK-ja”.