Shkolla “Emin Duraku” në Prishtinë ka organizuar ceremoninë solemne të diplomimit për semimaturantët e Gjeneratës 2026, në një mbrëmje që mblodhi nxënës, prindër, familjarë, mësimdhënës dhe përfaqësues institucionalë, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas njoftimit të shkollës, oborri i institucionit u mbush me qytetarë dhe mysafirë, duke e shndërruar ceremoninë në një festë të përbashkët të komunitetit. Nga shkolla u vlerësua se pjesëmarrja e madhe ishte dëshmi e besimit dhe vlerësimit për punën e bërë ndër vite.
Në këtë ceremoni, semimaturantëve iu drejtuan me fjalë përshëndetëse drejtori i shkollës, Visar Osmani, koordinatori i cilësisë, Nuhi Dema, si dhe kryetari i Këshillit të Arsimtarëve, Sadik Vitia. Mesazhe urimi për gjeneratën përcollën edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe Drejtoria Komunale e Arsimit.
Në fjalimet e mbajtura u vlerësuan rezultatet e arritura nga shkolla, angazhimi i mësimdhënësve, përkushtimi i nxënësve dhe bashkëpunimi me prindërit, duke theksuar se sukseset janë fryt i punës së përbashkët dhe përgjegjësisë kolektive.
Drejtori Visar Osmani prezantoi edhe vizionin për zhvillimin e mëtejshëm të shkollës, duke njoftuar se SHFMU “Emin Duraku” do të vazhdojë me projekte të reja, risi në procesin mësimor dhe investime që synojnë rritjen e mëtejshme të cilësisë dhe rezultateve të nxënësve.



Shkolla theksoi se gjatë këtij viti ka shënuar përparim në fusha të ndryshme, përfshirë mësimin, sportin, kulturën, teknologjinë dhe partneritetet me institucione, duke e konsideruar Gjeneratën 2026 si një nga gjeneratat më të suksesshme.
Në fund të ceremonisë, drejtuesit e shkollës shprehën mirënjohje për mësimdhënësit, stafin administrativ e teknik, prindërit, si dhe për Kryeqytetin dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit për mbështetjen e vazhdueshme.
SHFMU “Emin Duraku” uroi semimaturantët për përfundimin me sukses të arsimit të mesëm të ulët, duke theksuar se rrugëtimi i tyre drejt sukseseve të reja sapo ka filluar.