Institucionet edukative dhe arsimore në Kosovë janë duke vazhduar të përballen me numër të madh të nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar me coronavirus. Për këtë arsye këto institucione për gjatë kësaj kohë po detyrohen të punojnë më disa skenar, ndër ta edhe skenarin C (mësimi online).
Në nivel vendi aktualisht janë 61 shkolla që kanë kaluar në skenarin C, për shkak të rasteve të konfirmuara me coronavirus.
Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Iliriana Pylla, ka thënë për Telegrafin se nga 777 institucione edukative dhe arsimore, 701 janë duke punuar me skenarin e rikthimit (mësimi në shkolla), kurse 61 shkolla kanë kaluar në mësim online.
“Bazuar në informatat e pranuara nga SIA përmes DKA-ve procesi mësimor zhvillohet me rikthim në shumicën e institucioneve edukative dhe arsimore. Nga të dhënat e pranuara ju njoftojmë se nga 777 institucione edukative dhe arsimore, 701 janë duke punuar me skenarin e rikthimit. Sipas skenarit A, janë 11 shkolla. Sipas skenarit B 3 shkolla, sipas skenarit C, 61 shkolla”, ka pohuar ajo.
Pylla ka treguar edhe numrin e mësimdhënësve e të nxënësve që janë aktiv me COVID-19.
“Numri i mësimdhënësve aktiv me coronavirus është 1,466. Numri i personelit tjetër aktiv me coronavirus është 197 dhe numri i nxënësve aktiv me coronavirus është 6, 359”, bëri të ditur zëdhënësja e MASHTI-it.
Sa i përket mësimit online, të gatshëm për të zhvilluar procesin mësimor në këtë skenar janë deklaruar edhe nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK).
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ditë më parë për Telegrafin kishte thënë se mësimdhënësit janë të gatshëm të punojnë edhe në skenarin C.
“Është shumë shqetësuese kjo ngritja e rasteve në nivel vendi, por fatkeqësisht kemi raste që po rriten edhe në institucione arsimore. Mësimdhënësit e Kosovës janë deklaruar se janë të përkushtuar që mësimin ta mbajnë në institucionet arsimore, pra me prani fizike, por gjithashtu ata janë deklaruar se do të mobilizohen edhe janë të gatshëm edhe për versione të tjera, por që për këtë vendos Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit”, është shprehur ai.
Ndryshe, ekspertët e arsimit kanë vlerësuar se rikthimi me prezencë fizike dhe me orar të plotë në shkolla është vendim i drejtë dhe që ka ndikuar pozitivisht tek mësimdhënia e mësim-nxënia, ndërsa mësimi online për gjatë kësaj kohë të pandemisë, është konsideruar si më i vështirë dhe që ka sjellë më pak suksese te nxënësit.
Viti i ri shkollor 2021/2022 ka nisur më datën 27 shtator, për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus, gjysmë vjetori i parë kishte përfunduar më 30 dhjetor, kurse gjysmë-vjetori i dytë ka nisur më datën 10 janar.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 2 mijë e 590 raste te reja me coronavirus, aktualisht raste aktive në vend janë 33 mijë e 583.