Më 15 shtator 2025, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës u zhvillua ceremonia solemne e fillimit të vitit të ri akademik 2025–2026 dhe mirëseardhjes së studentëve të rinj.
Në këtë ngjarje morën pjesë: Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, prorektorët, Prof. asoc. Dr. Naim Jerliu dhe Prof. asst. Albana Berisha-Qehaja, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Sefedin Muçaj, së bashku me prodekanet, Prof. asoc. Aurora Bakalli dhe Prof. asoc. Miranda Stavileci, profesorë, staf akademik e administrativ të fakultetit. Ceremoninë e nderoi me praninë e tij edhe mysafiri i veçantë, Prof. Dr. Rifat Latifi, i diplomuar i Fakultetit të Mjekësisë, me karrierë të shquar akademike dhe klinike ndërkombëtare.
Në sallën e mbushur me mbi 350 studentë të rinj, fjalë përshëndetëse mbajtën Dekani Prof. Sefedin Muçaj, Rektori Prof. Arben Hajrullahu, mysafiri i nderuar Prof. Dr. Rifat Latifi, si dhe nga stafi i Fakultetit të Mjekësisë Prof. asoc. Violeta Lokaj-Berisha. Në emër të studentëve, të pranishmëve iu drejtua edhe përfaqësuesi i tyre, Denis Bajramaj.
Gjatë ceremonisë u theksua se viti akademik 2025–2026 nis më 15 shtator, me organizim më të plotë dhe përgatitje më të lartë, duke synuar rritjen e efikasitetit dhe cilësisë në mësimdhënie, shkencë dhe praktikë klinike. U nënvizua gjithashtu se Fakulteti i Mjekësisë mbetet institucioni kryesor i formimit të profesionistëve të shëndetit në Kosovë, duke i përzgjedhur dhe përgatitur “më të mirët nga më të mirët”.
Në këtë vit akademik, Fakulteti i Mjekësisë mirëpret 462 studentë të rinj në pesë drejtime kryesore:
• Mjekësi e Përgjithshme – 200 studentë
• Stomatologji – 80 studentë
• Farmaci – 50 studentë
• Fizioterapi – 32 studentë
• Infermieri – 100 studentë
Në fund të ceremonisë, u ndanë me short disa shpërblime simbolike për studentët e rinj, si shenjë mirëseardhjeje dhe motivimi. Pas kësaj, dita vazhdoi me aktivitetin e orientimit, ku studentët e vitit të parë u ndanë në grupe të udhëhequra nga studentë të viteve më të larta, për t’u njohur nga afër me hapësirat kryesore të Fakultetit të Mjekësisë.
Kjo ditë shënoi fillimin e një rrugëtimi të ri, ku Fakulteti i Mjekësisë do të udhëheqë studentët e rinj drejt formimit profesional, shkencor dhe etik, në shërbim të shëndetit dhe dinjitetit të njeriut.