Gjuha shqipe po bëhet çdo vit e më e huaj për maturantët. Ndonëse është pjesë e përditshmërisë së tyre, duket se po e njohin gjithnjë e më pak atë. E kundërta ndodh me gjuhën e huaj, thuhet në raportin e Qëndresa Qytetare.
‘Janë rezultate që vijnë nga provimi i gjuhës shqipe, që tregojnë një rënie të vazhdueshme, ndryshe nga gjuha angleze ku nota mesatare është në rritje. Studentët po shprehen më mirë në gjuhë të huaj sesa në gjuhën amtare’, thotë Kolinda Vjerdha nga Qëndresa Qytetare.
Nota mesatare në provimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Maturën Shtetërore 2025 është ulur në 6.87, një rënie e vazhdueshme që nga viti 2023. Raporti nxjerr në pah paaftësinë e nxënësve për të kuptuar, interpretuar dhe analizuar tekstin shqip.
‘Në matematikë ka një rënie të vazhdueshme. Kjo kërkon analizë serioze për mënyrën si hartohen kurrikulat dhe metodologjitë e mësimdhënie. Kurrikulat e arsimit po na tregojnë që efekti nuk reflektohet në dije dhe njohuri. Duhet të kemi një ridimensionim të tyre’, shprehet ajo.
Krahas gjuhës shqipe, sfidë për maturantët mbetet edhe matematika, ku nota mesatare këtë vit ishte 6.47. Në lëndët me zgjedhje, nxënësit kanë rezultate më të mira, me një mesatare 7.72. /Euronews