Deri të hënën, maturantët nga e gjithë Kosova kanë afat të aplikojnë përmes platformës eKosova për t’iu nënshtruar Provimit të Maturës Shtetërore, testit që vlerëson njohuritë dhe arritjet e tyre gjatë shkollimit parauniversitar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, deri tani kanë aplikuar 19 mijë e 505 maturantë. Me nisjen e procesit, disa maturantë janë ankuar për vështirësi aplikimi
Mijëra maturantë kanë nisur aplikimin për t’iu nënshtruar Provimit të Maturës Shtetërore përmes platformës eKosova.
Por, shumë nga ta janë ankuar në rrjete sociale dhe grupe komunikuese për vështirësi gjatë regjistrimit.
Ata kanë raportuar se në adresat elektronike nuk po u dërgohet kodi i verifikimit, e për pasojë po u pamundësohet aplikimi i suksesshëm.
Megjithatë, sipas Ministrisë së Arsimit, procesi po zhvillohet pa probleme të theksuara.
Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në këtë ministri, Fatmir Elezi, ka bërë të ditur se deri tani kanë aplikuar 19.505 maturantë.
“18354 aplikime janë aprovuar, 370 janë refuzuar dhe 781 janë në pritje. Nuk ka pasur ndonjë vështirësi të theksuar përveç rasteve kur nxënësit kanë pasur probleme me llogarinë në eKosova”, ka thënë Elezi.
Aplikimi për Provimin e Maturës Shtetërore ka nisur më 1 qershor. Ndonëse fillimisht është përcaktuar që afati për aplikim të përfundonte më 12 qershor, ai është shtyrë deri të hënën, pasi e premtja ka qenë ditë pushimi zyrtar me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Ky është viti i tretë që maturantët aplikojnë përmes platformës e-Kosova, ndërsa jo fizikisht në shkollat e mesme të larta, siç ka ndodhur më herët.
Sipas Ministrisë, ky sistem mundëson organizimin dhe sistemimin më të lehtë të nxënësve në qendrat e testimit.
Ndërkaq, këtë vit Kuvendi ka miratuar Projektligjin për Maturën Shtetërore, i cili përmban masa të reja disiplinore dhe gjoba për shkeljet gjatë organizimit dhe administrimit të provimit.
Bazuar në të, personat fizikë mund të gjobiten nga 1 mijë deri në 2 mijë euro, kurse ata juridikë nga 5 mijë deri në 20 mijë euro.
“1.3.Të bërit e mundur, nga ana e personit zyrtar, aktiviteti kopjues ose keqpërdorues sistematik në ambientet ku mbahet provimi shtetëror i maturës; Në rast se është konstatuar shkelja nga paragrafi 1.3 e nenit 24 të këtij ligji, personi fizik dënohet në shumë prej njëmijë (1,000) deri në dymijë (2,000) euro, kurse personi juridik në shumë prej pesëmijë (5,000) deri në njëzetmijë (20,000) euro”, thuhet në Projektligjin për provimin e maturës shtetërore.
Në Provimin e Maturës janë 25 pyetje nga Gjuha shqipe, Matematika dhe Gjuha angleze, kurse lënda e katërt zgjidhet nga vetë nxënësi.
Pragu i kalueshmërisë në Provimin e Maturës Shtetërore është 40 për qind.
Më 20 qershor pritet që testit t’i nënshtrohen rreth 20 mijë maturantë në të gjithë Kosovën. / Marrë nga Koha.net