Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se të hënën do të nisë mësimi në të gjitha nivelet parauniversitare.
MASHTI ka thënë se kishte bërë përgatitjet për fillim të mësimit qysh më 1 shtator, por se nuk ishte mundësuar kjo shkaku i grevës së organizuar nga SBASHK-u.
MASHTI ka njoftuar se do të formojë një grup punues për të rishikuar Udhëzimin Adminstrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikime në shkolla. Ka kërkuar mobilizim për kompensim të orëve të humbura.
“Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ministria e Arsimit fton për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës”, thuhet nga Ministria.
Greva e përgjithshme e BSPK-së nisi më 25 gusht, ndërsa u pezullua përkohësisht të shtunën.