Ministria e Arsimit e ka anuluar tenderin për shërbimet e transportit ajror për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) pasi oferuesit e tejkaluan për vetëm 10 euro apo 0.0025% vlerën e parashikuar të tenderit.
Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit të datës 11.07.2025, anulimi i tenderit në vlerë 400,000 u bë edhe për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
“Të njëjtit [AKA] kanë kërkuar që të anulohet si procedurë sepse Disponueshmëria e mjeteve nuk është më në dispozicion sepse gjatë muajit majt kanë realizuar shumë shpenzime tjera, gjithashtu edhe për vitet e ardhshme nuk iu është aprovuar rritja e buxhetit me kornizen afatmesme të shepenzimeve e as me qarkoren buxhetore të lëshuar nga MASHTI.” – thuhet në vendimin e Ministrisë së Arsimit të datës 11.07.2025.
Oferta e dy operatorëve ekonomikë, “Prime Tours & Travel SH.P.K” dhe “AS Travel Club” SH.P.K., për shërbimet e transportit ajror për AKA-në, ka qenë 400,010.00 euro.
Se pse e anuluan tenderin duke thënë se kishte tejkalim të buxhetit nga ofertuesit, kur në pyetje janë 10 euro apo 0.0025% të tejkalimit të vlerës së parashikuar, Ministria e Arsimit u arsyetua se “çdo tejkalim i buxhetit sado minimal që mund të jetë përbën pengesë ligjore për lidhje të kontratës”.
Sipas Dosjes së tenderit, e publikuar më 19.03.2025, qëllimi ishte që të lidhet një Kontratë me një Operator Ekonomik (OE) të kualifikuar, i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare të AKA-s, që do të autorizohen nga Ministria e Arsimit.
Ministria kishte parashikuar që gjatë periudhës trivjeçare numri i përafërt i biletave të jetë 1000 copë në destinacione të ndryshme të botës, me çmimin mesatar të një bilete në vlerë 400 euro.
Ministria e Arsimit ka thënë për KALLXO.com se i siguron biletat e udhëtimit përmes procedurave të prokurimit të zhvilluara në mënyrë të pavarur si Autoritet Kontraktues.
“Kjo ndodh për shkak se Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), në përputhje me politikat e reja të prokurimit të miratuara në nivel qendror, nuk organizon më kontrata të centralizuara për furnizim me bileta të udhëtimit ajror. Për pasojë, të gjitha institucionet publike që kanë nevojë për këto shërbime janë të obliguara t’i zhvillojnë vetë procedurat përkatëse të prokurimit. AKA dhe institucionet e tjera brenda MASHTI-t bëjnë planifikimin vet sipas nevojës që kanë dhe buxhetit që u ndahet nga MF.” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë, më 24.07.2025.
Të dy kompanitë që kanë ofertuar në këtë tender, janë ankuar më 16.07.2025, duke kërkuar rishqyrtim të tenderit, por Ministria e Arsimit i ka vlerësuar të pabazuara pretendimet e tyre në ankesë.
KALLXO.com i ka kontaktuar secilën nga kompanitë përmes telefonit dhe secila prej tyre ka deklaruar se është në dijeni se ka kohë për parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) deri sot, më 28.07.2025.
Ndërkaq, KALLXO.com që kur raportoi për hapjen e tenderit për shërbimet e transportit ajror për AKA-në, më 18.04.2025, është interesuar ta kuptojë nga Ministria e Arsimit se pse kishte parashikuar vlerën e një bilete 400 euro.
Ata janë përgjigjur pas tre muajsh, pas ankesës së KALLXO.com te Agjencia për Informim dhe Privatësi për mosofrim të informacioneve.
“Çmimin 400 euro e ka përcaktuar njësia kërkuese [AKA] me rastin e inicimit të procedurës së prokurimit. Ky çmim është indikativ që ndihmon në procesin e vlerësimit të tenderit.” – janë përgjigjur nga Ministria e Arsimit, më 18.07.2025.
Ankesat
Të dy kompanitë tenderuese, përmes ankesave së tyre kanë kërkuar që të anulohet njoftimi i Ministrisë së Arsimit i datës 11.07.2025 dhe lënda të rikthehet në ri-vlerësim.
Kompania “Prime Tours & Travel SH.P.K” në ankesën e saj pretendon se arsyet e dhëna në njoftimin e vendimit të datës 11.07.2025 të Ministrisë së Arsimit janë arsye “jo ligjore dhe fiktive, të cilat kanë ndikim në diskriminim dhe favorizim në mes të operatorëve ekonomik konkurues”.
Kjo kompani ka pretenduar se Ministria e Arsimit ka vepruar në kundërshtim me nenin 13 të Rregullores nr.001/2022 për Prokurimin Publik, në të cilin flitet për parashikimin e vlerës dhe klasifikimin e kontratës.
“Përcaktimi i vlerës së parashikuar të kontratës, bëhet para inicimit të procedurës ku gjatë përllogaritjes duhet të bëhen parashikimet e arsyeshme mbi vlerën e parashikuar të kontratës. Njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues i datës 11.07.2025 është në kundërshtim me nenin 13, posaçërisht arsyet e dhëna në njoftimin e vendimit.” – thuhet në ankesën e “Prime Tours & Travel SH.P.K”.
Sipas kësaj kompanie, arsyet e dhëna për anulimin e tenderit nga Ministria e Arsimit nuk janë të parashikuara në nenin 43 të Rregullores për Prokurimin Publik, në të cilin flitet për ndërprerjen e procedurave të prokurimit.
“Në mënyrë shumë të qartë e sqaron se si ka rol autoriteti kontraktues lidhur me tejkalimin e vlerës së parashikuar të kontratës, përveç kësaj duke u bazuar edhe në llojin (tipin) e kontratës së përdorur (kontratë kornizë, çmimi njësi) ku porositë bëhen vetëm sipas kërkesëss së AK [Autoritetit Korrektues] (sipas nevojës) dhe kohëzgjatjes së saj ku nuk ka dhe nuk mund të ketë impakt në sigurinë financiare të AK.” – kanë shpjeguar nga “Prime Tours” në ankesë se si MASHTI ka vepruar në kundërshtim me nenin 43 të Rregullores.
Në pretendimin e tyre të tretë, kompania “Prime Tours & Travel SH.P.K” ankohet se “përcaktimi i nevojave dhe disponueshmëria e mjeteve sigurohen paraprakisht dhe para inicimit të aktivitetit të prokurimit duke qenë të njoftuar të gjitha hallkat e administratës deri te ZKA se alokimi i mjeteve është bërë”.
“Ju si autoritet kontraktues keni marrë një vendim, i cili më shumë mundet të iu përshtatet për arsyet të cilat më së miri vetëm ju i dini se sa për arsye ligjore pasi që arsyet janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.” – thuhet në ankesën e “Prime Tours & Travel SH.P.K”.
“Prime Tours & Travel SH.P.K” përveç se pretendon që Ministria e Arsimit ka shkelur paragrafin 8 të nenit 39 të Rregullores për Prokurimin Publik, ku flitet për krijimin e komisioneve vlerësuese të tenderëve, pretendon po ashtu se Ministria ka zvarritur këtë proces të prokurimit edhe në aspektin kohor, pasi thonë se atyre iu është kërkuar vërtetimi i Gjykatës Komerciale dhe vërtetimi tatimor nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) më 14.05.2025, kurse dy muaj më pas kanë marrë vendimin për anulim të tenderit.
Vërtetimi nga Gjykata Komerciale në këtë rast ipet për të dëshmuar nëse kompania tenderuese ka apo jo evidencë të falimentimit apo inicimit të procedurës së falimentimit.
Ndërsa, në ankesën e kompanisë “AS Travel Club” SH.P.K. të datës 16.07.2025, është përmendur se Ministria e Arsimit në vendimin e anulimit të tenderit, më 11.07.2025 të, nuk e ka bashkëngjitur Letrën Standarde për secilin tenderues të eliminuar. Letra Standarde përshkruan arsyet se pse janë eliminuar tenderuesit.
“AS Travel Club” SH.P.K. pretendon nuk qëndron konstatimi i Ministrisë së Arsimit se anulimi i tenderit është bërë për shkak të tejkalimit të buxhetit të ofertuesit, pasi çmimi i planifikuar i biletës është 400 euro dhe çmimi total i tenderit i parashikuar prej 400,000 euro nuk përcakton çmimin real të kontratës.
“Çmimi do të krijohet përgjatë realizimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit AMADEUS, GALILEO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm apo sisteme online dhe se kontrata gjatë periudhës tri-vjeçare konsiderohet e realizuar në bazë të sasive të biletave dhe jo vlerës së biletave ku sasia e parashikuar prej 1000 bileta është vetëm sasi indikative.” – thuhet në ankesën e kësaj kompanie.
“Ky fakt dëshmon se gjatë realizimit të kontratës mund të ndryshohet vlera e kontratës që sipas ofertës sonë është 400,010 euro, mund të ndryshohet sasia e biletave dhe gjithashtu mund të ndryshohen edhe çmimet e biletave. E vetmja e dhënë e shënuar në Përshkrimin e Çmimeve që nuk mund të ndryshohet gjatë realizimit të kontratës është Tarifa e shërbimit për një biletë që në rastin konkret në ofertën tonë është 0.01 ero.” – kanë shtuar nga “AS Travel Club” SH.P.K..
Kompania “AS Travel Club” SH.P.K. pretendon gjithashtu se nuk qëndron arsyetimi i Ministrisë së Arsimit se ka mungesë të mjeteve buxhetore nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Sipas tyre, në Ligjin 08/L-332-Mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, shihet se vetëm për vitin 2025 AKA në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve ka të ndara mjete buxhetore në vlerë prej 5535,459 euro.