Edhe një vajzë shqiptare mbaron master në Danimarkë. Marigona Luma ka përfunduar studimet master në drejtësi në Universitetin e Kopenhagës, një nga institucionet më prestigjioze arsimore në Danimarkë.
Megjithëse jeton në Danimarkë që nga lindja, origjina e familjes së saj është nga Kaçaniku i 🇽🇰Republikës së Kosovës, prej nga prindërit e saj emigruan në vitet 1990 në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
Para se të ndiqte studimet universitare, Marigona ishte pjesë e gjimnazit Niels Brock, ku u pranua në programin prestigjioz Team Danmark, i dedikuar sportistëve të rinj me potencial të lartë.

Njoftimi i plotë:
🇦🇱🎓🇩🇰Vazhdojnë sukseset e rinisë shqiptare në Danimarkë.
Edhe një vajzë shqiptare mbaron master në Danimarkë. Marigona Luma – Një histori suksesi mes përkushtimit, arsimit dhe sportit
Marigona Luma është e lindur dhe e rritur Kopenhagë. Ajo përfaqëson një brez të ri shqiptarësh në diasporë që kanë arritur të ndërtojnë histori frymëzuese suksesi, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen e fortë me rrënjët e tyre. Megjithëse jeton në Danimarkë që nga lindja, origjina e familjes së saj është nga Kaçaniku i 🇽🇰Republikës së Kosovës, prej nga prindërit e saj emigruan në vitet 1990 në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
Në vetëm 24 vjeç, Marigona ka shënuar një arritje të rëndësishme akademike duke përfunduar studimet master në drejtësi në Universitetin e Kopenhagës, një nga institucionet më prestigjioze arsimore në Danimarkë. Përmes punës së saj kërkimore, ajo u fokusua në një temë aktuale dhe me rëndësi të veçantë për tregun modern të punës: mbikëqyrjen e punonjësve në vendin e punës.
Megjithatë, rruga e saj drejt suksesit nuk është ndërtuar vetëm mbi arritjet akademike.
Para se të ndiqte studimet universitare, Marigona ishte pjesë e gjimnazit Niels Brock, ku u pranua në programin prestigjioz Team Danmark, i dedikuar sportistëve të rinj me potencial të lartë. Ky angazhim ishte rezultat i përfshirjes së saj për shumë vite në 🏀🇩🇰basketbollin elitar danez, ku ajo ishte pjesë e programit të ekipit kombëtar të Danimarkës dhe garoi në nivelet më të larta të këtij sporti.
Disiplina, përkushtimi dhe aftësia për të balancuar sportin me arsimin kanë qenë elemente kyçe në formimin e saj personal dhe profesional. Sot, Marigona e sheh me krenari rrugëtimin e saj, duke e konsideruar atë si dëshmi se puna e palodhur dhe vendosmëria mund të shndërrojnë ëndrrat në realitet.
Pavarësisht arritjeve të shumta, ajo mbetet e vetëdijshme për rolin e rëndësishëm që familja ka luajtur në jetën e saj. Mbështetja e pakushtëzuar e prindërve dhe e të afërmve ka qenë forca shtytëse pas çdo suksesi, duke e ndihmuar të kapërcejë sfidat dhe të ndjekë me besim objektivat e saj.
Historia e Marigona Lumës është një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen, një dëshmi se me përkushtim, arsim cilësor dhe mbështetje familjare, kufijtë e suksesit mund të tejkalohen.
Nga: Bardhyl Islami
Marrë nga Revista Aktuale – Kopenhagë