Ndoshta nuk ka fjalë të mjaftueshme që mund të përshkruajnë plotësisht rolin e mësuesit, në një botë ku gjithçka ndryshon me ritme marramendëse dhe ku shpesh, vlerat thelbësore harrohen. Por një gjë është e sigurt që të jesh mësues në ditët e sotme nuk është thjesht një profesion, por është një sfidë, një thirrje, një mision.
Çdo mëngjes e nisin ditën me libra në dorë dhe me shpresën në zemër, duke hyrë në një klasë ku përballen me më shumë se thjesht nxënës: përballen me shpresa, me dyshime, me ëndrra dhe me plagë që ndonjëherë nuk duken. Nuk japin vetëm mësime nga tekstet shkollore por formojnë karaktere, udhëheqin shpirtra të rinj dhe, në mënyrën më të heshtur, mbjellin vlera që do të lulëzojnë për vite me radhë.
Nuk është gjithmonë e lehtë. Mungesa e vlerësimit, sfidat sociale, teknologjia që shpërqendron, mungesa e mbështetjes…të gjitha këto e bëjnë detyrën e mësuesit të rëndë. Por ajo që bëjnë ka peshë më të madhe se çdo vështirësi, ndërtojnë të ardhmen. E bëjnë këtë jo vetëm me dije, por me dashuri, me durim, me përkushtim dhe pikërisht këto e kthejnë detyrën në një mision të shenjtë.
Mbase shpesh ndihen të lodhur, të pavlerësuar, të tejngopur me presione e përgjegjësi. Por, ndoshta, diku në një bankë shkolle, ndodhet një nxënës që do ti kujtojë gjithë jetën, për një fjalë inkurajimi, për një buzëqeshje kur kishte nevojë, për një dorë të zgjatur kur ishte gati të dorëzohej.
Misioni nuk matet me nota apo statistika. Matet me zemrat që preken, me ëndrrat që nuk shuhen, me rrugët që ndriçohen nga fjala e tyre. Ata janë udhërrëfyes të heshtur të shumë udhëtarëve të vegjël, që një ditë do të ecin të sigurt, falë dritës që dhanë pa kërkuar asgjë në këmbim.
Të jesh mësues ka qenë gjithmonë një nga profesionet më të respektuara dhe më të rëndësishme në shoqëri. Por sot, më shumë se kurrë, të jesh mësues është bërë një sfidë e vërtetë, ku balancohet detyra profesionale me misionin njerëzor për të ndërtuar të ardhmen. Në një botë që ndryshon me ritme të shpejta, me teknologji që zhvillohet çdo ditë dhe me një shoqëri gjithnjë e më kërkuese, roli i mësuesit është shumë më kompleks se më parë.
Detyra e një mësuesi nuk është më thjesht të japë dije, por të jetë edhe mentor, edukator, psikolog, dhe ndonjëherë edhe prind i dytë për nxënësit. Ai përballet çdo ditë me vështirësi të ndryshme, nga mungesa e mjeteve didaktike, tek lodhja fizike dhe emocionale, tek presioni i rezultateve dhe vlerësimeve, dhe deri tek mungesa e vlerësimit të duhur nga shoqëria. Megjithatë, shumë mësues vazhdojnë punën e tyre me përkushtim të plotë, sepse e shohin profesionin e tyre si një mision jetësor.
Misioni i mësuesit është më i thellë se një detyrë që përfundon në fund të orarit mësimor. Ai është misioni për të ndikuar në formimin e brezave të rinj, për të mbjellë vlera, për të frymëzuar mendje dhe për të zgjuar dëshirën për dije. Mësuesi ka fuqinë të ndryshojë jetë. Një fjalë e mirë, një inkurajim në momentin e duhur, mund të ndryshojë rrugën e një nxënësi për mirë.
Të jesh mësues sot kërkon guxim, pasion dhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie. Është një profesion ku lodhja fizike shpesh është më e vogël se sfidat emocionale. Por pavarësisht vështirësive, për shumë mësues, buzëqeshja e një nxënësi që mëson diçka të re apo përparon në jetë është shpërblimi më i madh.
Mësuesit meritojnë falenderim për përkushtimin, për përballimin, për durimin, dhe mbi të gjitha, për dashurinë me të cilën e kryejnë këtë mision. Sepse pikërisht kjo dashuri është ajo që mbjell shpresë për të ardhmen.
Meritojnë falenderim të gjithë ata mësues që zgjedhin çdo ditë të mos dorëzohen, që qëndrojnë në klasë me pasion edhe kur ndihen të padukshëm. Mbase nuk thuhet shpesh, por puna e tyre është thellësisht e vlefshme. Janë ata që ndërtojnë themelet e së ardhmes, një fjalë të mirë, një mësim të dhënë me zemër, një buzëqeshje të dhuruar në ditën e duhur. Bota ka nevojë për më shumë njerëz të tillë!
Në përfundim, të jesh mësues në ditët e sotme është një sfidë mes detyrës dhe misionit, por një sfidë që kur pranohet me zemër, ka fuqinë të ndryshojë botën: një nxënës, një klasë, një brez njëherësh.
Autorja është mësuese e Kimisë në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has
©AlbanianEducation.net