Në historinë e çdo qytetërimi, ka figura që ndërtojnë botën pa zhurmë, pa bujë dhe shpesh pa vlerësimin që meritojnë.
Një prej tyre është mësuesi. Ai mban në duar jo vetëm librin e dijes, por edhe fatin moral, intelektual dhe qytetar të një shoqërie. Të flasësh për mësuesin, do të thotë të flasësh për vetë themelet e së ardhmes, sepse aty ku formohet mendja e njeriut, aty ndërtohet edhe fati i një kombi.
Mësuesi është qendra e shoqërisë, sepse rreth tij rrotullohet formimi i brezave. Ashtu si bota kërkon një qendër gravitacionale për të ruajtur ekuilibrin, edhe shoqëria kërkon figurën e mësuesit për të mos humbur drejtimin. Ai është busulla që orienton mendimin, dora që udhëheq hapat e parë drejt dijes dhe zëri që mbjell vlera në ndërgjegjen njerëzore.
Por mësuesi është edhe boshti i shoqërisë, njësoj si boshti i tokës që mban ekuilibrin e jetës. Mbi të mbështetet e ardhmja, sepse çdo profesion, çdo arritje, çdo sukses njerëzor kalon fillimisht nëpër duart e tij. Mjeku që shpëton jetë, inxhinieri që ndërton ura, shkrimtari që prek shpirtra apo shkencëtari që ndryshon botën, kanë nisur rrugën e tyre nga banka e shkollës dhe nga fjala e një mësuesi.
Megjithatë, paradoksi më i madh i shoqërisë sonë është se pikërisht figura mbi të cilën mbështetet e ardhmja, është edhe figura më e gjykuar dhe më e nëpërkëmbur. Mësuesi është kthyer shpesh në një “tabelë qitjeje”, ku derdhen pa kursim të gjitha “karikatorët” e pakënaqësive, dështimeve dhe frustrimeve shoqërore. Nëse nxënësi dështon, fajësohet mësuesi. Nëse familja dështon në edukim, sërish gishti drejtohet nga mësuesi. Shoqëria kërkon prej tij të bëjë atë që shpesh nuk arrijnë ta bëjnë as familja, as institucionet, as vetë realiteti social.
Ai gjykohet për rezultatet, por rrallëherë pyetet për kushtet. I kërkohet të edukojë me përkushtim, ndërsa shpesh i mohohet respekti. I kërkohet të ndërtojë karaktere të forta, ndërsa vetë përballet me mungesë vlerësimi, me paragjykime dhe me një barrë të rëndë morale. Mësuesi duhet të jetë psikolog, prind, edukator, udhërrëfyes dhe shembull, ndërkohë që shumë herë mbetet i vetëm përballë një shoqërie që kërkon rezultate, por harron të mbështesë atë që i ndërton ato.
Dhe megjithatë, pavarësisht plagëve të heshtura, mësuesi vazhdon të mbjellë shpresë. Ai hyn çdo ditë në klasë me të njëjtin mision fisnik: të ndezë mendjen dhe shpirtin e brezave të rinj. Kjo është madhështia e tij. Ai vazhdon të japë edhe kur lodhet, vazhdon të besojë edhe kur zhgënjehet, vazhdon të ndërtojë edhe kur vetë rrënohet nga mosmirënjohja.
Një shoqëri që nuk respekton mësuesin, në të vërtetë po gërryen themelet e veta. Sepse mësuesi nuk është thjesht një profesionist i dijes, por arkitekti i së ardhmes. Dhe sa më shumë të goditet ai, aq më shumë lëkundet vetë boshti moral dhe intelektual i shoqërisë.
Prandaj, respekti për mësuesin nuk është luks, por domosdoshmëri. Është detyrim qytetar dhe moral. Sepse aty ku nderohet mësuesi, lulëzon dija. Aty ku vlerësohet fjala e tij, ndërtohet qytetërimi, dhe aty ku mbrohet dinjiteti i tij, sigurohet e ardhmja e një kombi.

*Autorja është mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has