Mësuesi nuk është thjesht një transmetues njohurish, por është udhërrëfyes, frymëzues dhe një dritë që ndriçon rrugëtimin e një brezi të tërë. Siç thuhet me të drejtë: “Një mësues shtrëngon një dorë, hap një mendje, prek një zemër.”
Në këtë shprehje përmblidhet thelbi i rolit të tij: të ofrojë besim, të zgjojë kuriozitet dhe të frymëzojë për të bërë të mundur më të mirën tek secili nxënës.
Kur një mësues shtrëngon dorën, ai nuk ofron vetëm mbështetje, por krijon një lidhje të ngushtë, një hapësirë sigurie ku çdo nxënës ndjen se nuk është vetëm në udhëtimin e dijes.
Kur hap një mendje, të mëson të mendosh thellë, të kërkosh, të shohësh përtej dukshmërisë, dhe të ndërtohesh si individ i aftë dhe i vetëdijshëm.
Më e fuqishmja është kur prek një zemër: kur frymëzon, kupton dhe udhëheq me shembull, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e çdo nxënësi.
Të jesh mësues sot është sfidë mes detyrës dhe misionit. Nuk është thjesht të japësh njohuri, por të jesh mentor, edukator dhe shpesh edhe një dritë udhërrëfyese për ata që kërkojnë shpresë dhe drejtim.
Ata përballen me sfida të shumta: lodhje, mungesë vlerësimi, presione dhe një sistem që shpesh harron rëndësinë e tyre.
Por për çdo sfidë, ka një shpërblim të jashtëzakonshëm: buzëqeshja e një nxënësi që kupton, ecën përpara, ëndërron dhe rritet.
Mësuesi është themeli i shoqërisë, pasi mbjell vlera, frymëzon karaktere dhe ndërton të ardhmen jo vetëm të individit, por të një kombi të tërë.
Roli i tij është më i rëndësishëm se çdo lloj teknologjie ose informacioni që mund të gjejmë, sepse vetëm një mësues i përkushtuar di si të ndriçojë rrugën e dijes dhe të formojë ndërgjegjen e qytetarëve të së nesërmes.
Figurat si mësuesit janë heronj të heshtur. Ata nuk kërkojnë kurora apo lavdi, por japin dituri dhe dritë, duke u bërë udhërrëfyes të jetës për nxënësit. Përmes përkushtimit të tyre, një komb mëson të respektojë dijen, të vlerësojë virtytet dhe të ndërtojë një të ardhme të ndritur.
Figurën e mësuesit duhet ta mbajmë lart në piedestal, ta çmojmë dhe ta mbrojmë.
Ata nuk janë thjesht pjesë e sistemit arsimor, por janë rrënjët e çdo shoqërie të shëndoshë.
Një komb që nderon mësuesit e tij, nderon vetveten.
Ata janë poetët e padukshëm të shpirtit njerëzor, drita që nuk shuhet kurrë dhe udhërrëfyesit që na ndriçojnë rrugën e jetës.
Në çdo dorë që shtrëngohet, në çdo mendje që hapet, në çdo zemër që preket, mësuesi jeton përgjithmonë.
Autorja është mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has.