Duke qenë arsimi baza e zhvillimit të çdo kombi, sa më i arsimuar të jetë brezi i ri, aq më shumë shanse ka që mirëqenia e një vendi të rritet e të përparojë, duke përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj dhe duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen.
“Një shtet që nuk ka për bazë arsimin është një ndërtesë mbi rërë.”
Në kohën e pandemisë, mbyllja papritur e procesit mësimor, si rezultat i fatkeqësisë natyrore, solli distancimin fizik të nxënësve nga mësuesit.
U përballëm me vështirësi e pengesa, pasi ishte një rrugë e re, e pashkelur, shtegun e së cilës duhej ta hapnim ne.
Menjëherë filluan përgatitjet për zhvillimin e mësimit virtual, gjë e cila u shoqërua me shumë probleme të mpleksura midis tyre.
I gjithë sistemi arsimor u vu në lëvizje duke u përpjekur të gjejë forma dhe mënyra sa më efikase, në ndihmë të mbarëvajtjes së procesit mësimor-edukativ.
Filluan konsultimet për shkëmbim idesh mes kolegëve dhe me drejtuesit e institucioneve arsimore në rreth e jashtë tij.
Krahas punës për të nxënë si: dhënia e njohurive të reja, diskutime e konsultime, pyetje-përgjigje, detyra e kontroll njohurish, përpara nesh qëndronte dhe problemi i mbajtjes lart të moralit të nxënësve nga ana psikologjike, i cili duhej të ndërthurej duke e kombinuar mjeshtërisht me mësimin online.
Nga mëngjesi deri orët e vona të natës punonim me durim e dashamirësi, këmbëngulje e përkushtim, përulësi, nderim e respekt në shërbim të brezit të ri!
Ishte pak të quhej lodhje, ishte stërmundim, por çuditërisht gjithçka e mposhtte dëshira dhe synimi për të arritur më të mirën!
Misioni vazhdonte pasi mësuesit ishin të pamposhtur dhe luftonin për qëllime fisnike!
Në fund të ditës na dhimbnin sytë, por na lumturohej zemra e qetësohej shpirti!
Mesazhe nga nxënësit dhe prindërit e tyre prisnim në çdo kohë me anë të cilave ndjenim e preknim shpirtin e tyre, emocionet, gjendjen e brendshme shpirtërore!
Ndihej nevoja që kishin për afërsinë me mësuesin, për një fjalë të ëmbël, një mbështetje emocionale. Kështu e mposhtnin më lehtë trishtimin e mbylljes së papritur në shtëpi dhe i përkushtoheshin më mirë studimit!
Kishim privilegjin të ishim mësues! Ishte e lodhshme por e mrekullueshme!
U përpoqëm t’i shfrytëzonim të gjitha mundësitë për t’a kryer me sukses misionin tonë. Ishim të gatshëm të jepnim maksimumin dhe kishim kohë gjithmonë për gjërat që bëheshin me zemër!
Pandemia u largua, por pasojat mbetën duke na shoqëruar dhe vështirësuar punën.
Shumica e nxënësve kanë krijuar varësi ndaj telefonit. Në bisedat dhe diskutimet tona shprehet domosdoshmëria për të gjetur një rrugë të përbashkët, ndoshta vendosja dhe zbatimi i një ligji që ndalon kategorikisht përdorimin e telefonave në shkollë. Është për të ardhur keq që dëshira dhe vullneti për të lexuar e studiuar po zbehen dita-ditës.
Duke qenë arsimi baza e zhvillimit të çdo kombi, sa më i arsimuar të jetë brezi i ri, aq më shumë shanse ka që mirëqenia e një vendi të rritet e të përparojë, duke përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj dhe duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen.
Autorja është mësuese e lëndës së Kimisë në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has.