Nxënësi i klasës së tretë në shkollës “Dardania” në Pejë, Mali Myrtaj, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e matematikës, duke dalë fitues në garën prestigjioze “Einstein Olympiad” dhe duke siguruar të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në Finalen Ndërkombëtare që do të mbahet në Berlin të Gjermanisë nga 26 deri më 30 tetor 2026, shkruan AlbanianEducation.net.
Gara është zhvilluar më 23 maj 2026, ndërsa rezultati i Malit e renditi atë mes nxënësve më të suksesshëm, duke i siguruar një vend në mesin e përfaqësuesve të Kosovës në këtë ngjarje ndërkombëtare të matematikës.
Sipas vlerësimit të shkollës dhe mësimdhënësve të tij, Mali është një nxënës i veçantë, me njohuri dhe aftësi që dallohen dukshëm për moshën e tij. Ai karakterizohet nga përkushtimi, kureshtja dhe rezultatet e shkëlqyera në mësime, duke dëshmuar një gamë të gjerë njohurish dhe potencial të lartë akademik.

Për sukseset e tij në arsim, Mali ka fituar edhe bursë të plotë (100 për qind) për shkollim në shkollën “Mehmet Akif” në Prizren. Megjithatë, familja ka vendosur të mos e shfrytëzojë këtë mundësi për shkak të pamundësisë së ndryshimit të vendbanimit nga Peja.
Përveç matematikës, Mali është aktiv edhe në aktivitete të tjera jashtëshkollore. Ai është shahist në klubin e shkollës dhe njëkohësisht futbollist në klubin AS Peja, duke dëshmuar talent dhe përkushtim në fusha të ndryshme.
Familja, mësimdhënësit dhe bashkëmoshatarët e tij shpresojnë që Mali të vazhdojë të shkëlqejë edhe në finalen ndërkombëtare në Berlin, duke përfaqësuar me dinjitet Kosovën dhe duke fituar një përvojë të vlefshme në mesin e talenteve më të mirë të rinj nga e gjithë bota.