Luljeta Limanaj: Disleksia, një realitet i heshtur në shkollat tona

- Advertisement5 -

Në shumë shkolla, disleksia vazhdon të mbetet e padukshme dhe e pakuptuar. Mungesa e informimit, e testimeve të strukturuara dhe e mbështetjes profesionale bën që shumë fëmijë të kalojnë nga një klasë në tjetrën pa u identifikuar vështirësia e tyre reale.

- paragrafi 1 -

Shpesh, performanca e dobët në lexim dhe shkrim interpretohet gabimisht si mungesë përpjekjeje, duke krijuar keqkuptime mes mësuesve, prindërve dhe vetë nxënësve.

- Advertisement - M1

Ky realitet i heshtur ndikon drejtpërdrejt në vetëbesimin e fëmijës, në motivimin për të mësuar dhe në marrëdhënien e tij me shkollën. Sa më gjatë të mbetet e pazbuluar disleksia, aq më e thellë bëhet ndjenja e pasigurisë dhe e dështimit tek nxënësi.

Ka ardhur koha t’i kthejmë sytë dhe vëmendjen te ky realitet i hidhur.

Është e domosdoshme të ngrihen struktura të posaçme brenda sistemit arsimor, të cilat të koordinojnë veprimtaritë për evidentimin e hershëm të disleksisë, hartimin e planeve individuale të mbështetjes dhe bashkëpunimin e ngushtë mes mësuesve, psikologëve shkollorë dhe prindërve, me qëllim zvogëlimin e ndikimit të këtij fenomeni në zhvillimin akademik dhe emocional të fëmijëve.

- Advertisement - m2

Çdo fëmijë meriton të ndihet i aftë dhe i vlerësuar. Disleksia nuk është pengesë për suksesin, por një mënyrë ndryshe e të nxënit. Le të mos e lëmë më disleksinë një fenomen të pazbuluar, por ta kthejmë në një çështje të diskutuar hapur, të kuptuar drejt dhe të trajtuar me profesionalizëm.

Autorja është mësuese e Arsimit Fillor Shkolla 9-vjecare “Marie Kaçulini”, Durrës