Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” në Deçan po prezanton stafin arsimor.
Lule Lajqi është profesoresha që ka prezantuar, duke treguar se ajo filloi punën si profesoreshë në vitin shkollor 1990/91, shkruan AlbanianEducation.net.
Postimi i shkollës:
Gjimnazi zhvillon mësimin me metoda bashkëkohore, përfshirë edhe përdorimin e kabineteve në shkencat natyrore. Kjo realizohet në mënyrë të shkëlqyer nga profesoresha e kimisë, znj. Lule Lajqi.
Lule Lajqi u lind më 25 maj 1966 në fshatin Prapaqan, komuna e Deçanit. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.
Studimet universitare i kreu në Universitetin e Prishtinës dhe më 24 mars 1989 diplomoi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, dega Kimi.
Në vitin shkollor 1990/91 filloi punën si profesoreshë e kimisë në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, në variantin “C” në pikën e Isniqit. Për shkak të mungesës së kuadrit, ajo ka dhënë mësim edhe në fshatrat Strellc dhe Junik.
Gjatë gjithë kohës së luftës dhe deri në çlirimin e vendit, znj. Lajqi vazhdoi të punojë si mësimdhënëse pa ndërprerje. Ajo nuk e braktisi vendin as gjatë luftës dhe dha kontribut në logjistikë.
Edhe pas luftës, ajo vazhdoi me përkushtim të japë mësim në lëndën e kimisë dhe aktualisht punon ende si mësimdhënëse në gjimnaz.