Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe luftës ndaj kësaj sëmundjeje.
Përmes një mesazhi drejtuar grave dhe vajzave, ministrja Manastirliu ka çelur fushatën kundër kancerit të gjirit. Ajo u bën apel të mos neglizhojnë shëndetin e tyre dhe të kryejnë në kohë ekzaminimet ndaj kancerit të gjirit.
“Është detyra jonë të kujdesemi për fëmijët, për familjen, për prindërit dhe të afërmit. Ashtu sikurse është përgjegjësia jonë që në radhë të parë të mos neglizhojmë kujdesin për veten. Pandemia ka pasur efektet e saj në jetët tona. Për fat të keq duke krijuar vonesa në kontrollet rutinë për shëndetin, sidomos te gratë. Ndaj në këtë tetor rozë do t’i lutesha çdo gruaje të marrë vetëm 30 minuta nga koha e saj, të bëjë vetëkontrollin e gjirit dhe të kryejë mamografinë”, theksoi Manastirliu, e cila shtoi se mamografia tashmë është siguruar në çdo spital rajonal.
“Programi ynë i diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit ka siguruar mamografitë në çdo spital rajonal nga veriu në jug dhe ky shërbim është falas”.
Në mesazhin që çeli fushatën e ndërgjegjësimit, tre gra që po fitojnë betejën me sëmundjen e rëndë, u kanë bërë apel grave dhe vajzave që të mos neglizhojnë, por të luftojnë për jetën
Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.