Një aktivitet edukues dhe argëtues është zhvilluar nga media për arsim Albanian Education në bashkëpunim me HyperActive, me nxënësit e shkollës “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe.
Fokusi i këtij aktiviteti ishte rëndësia e lojës dhe aktivitetit fizik për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Gjatë aktivitetit, i cili zgjati rreth 45 minuta, u realizua një bashkëbisedim interaktiv me nxënësit, duke trajtuar tema që lidhen me ndikimin e lojës në zhvillimin emocional, social dhe fizik.
Nxënësit u përfshinë në diskutime dhe ushtrime të ndryshme praktike, të cilat synonin të rrisin vetëdijen për rëndësinë e lëvizjes dhe të bashkëpunimit.




Në fund të aktivitetit u zhvillua edhe një kuiz i shkurtër me pyetje lidhur me temat e trajtuara gjatë prezantimit. Si formë simbolike vlerësimi për pjesëmarrjen dhe përgjigjet e sakta, disa nxënësve u janë dhënë bileta falas për vizitë në qendrën e argëtimit HyperActive. Biletat iu dorëzuan mësimdhënësve, të cilët më pas do t’ua përcjellin prindërve.
*Aktiviteti është realizuar me miratim nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë ndërsa fotografitë e nxënësve janë realizuar me pëlqimin e prindërve dhe në koordinim me drejtorinë e shkollës, duke respektuar rregullat për mbrojtjen dhe privatësinë e fëmijëve.