Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkë me gruan e tij, Shemsien ka marrë pjesë në darkë për shënimin e Ditës së Mësuesit, nën organizimin e Drejtorisë për Arsim, shkruan AlbanianEducation.net.
Ai ju ka dëshiruar sukses në punën e tyre të gjithë mësimdhënësve.
Postimi i saj:
Me bashkëshorten Shemsien, mora pjesë në darkë për shënimin e Ditës së Mësuesit, nën organizimin e Drejtorisë për Arsim.
7 Marsi përkon me Epopenë e UÇK-së, “Natën e zjarreve” dhe shpreh nderim për mësuesin Shaban Jashari, Jasharajt legjendar dhe të gjithë mësuesit dhe nxënësit të cilët u flijuan për liri.
Mësues e mësuese, arsimtarë e arsimtare, profesoresha dhe profesorë të dashur, urime kjo ditë e shënuar për Juve dhe për të gjithë ata që arsimin e konsiderojnë prioritet.
Në këtë ditë, kujtojmë të gjithë mësuesit tanë atdhetarë, të cilët mbajtën gjallë dhe lartësuan me krenari arsimin kombëtar, duke i rezistuar armikut, duke arsimuar gjenerata të tëra intelektualësh, dijetarësh, armatën e tërë të shkollarëve për të arritur çlirimin, shtetformimin e shtetndërtimin.
Kujtojmë me nderim, Shkollën e parë shqipe dhe patriotët, mësuesit e parë me mësimet në gjuhën shqipe, të cilët e paguan me jetë misionin e tyre fisnik e atdhetar.
Mësuese e mësues,
Ju dëshiroj sukses në këtë mision të shenjtë, duke ju ofruar përkrahje të plotë. Arsimi ishte dhe mbetet prioriteti i parë i qeverisjes time.
Në Ditën e mësuesit, si ditë përkujtimi për shkollën e parë në gjuhën shqipe në Korçë, kujtoj me emocione mësuesit dhe arsimtarët e mi, në veçanti, kujtoj dy familjarët e mi, Xhevën, heroinë e kombit, e cila jepte gjuhë shqipe dhe mësuesin Jahir, dëshmor i kombit, ka deklaruar Lladrovci.
Në këtë ditë nuk gjendet këtu Jakup Krasniqi, i cili ka kontribut të madh për arsimin në komunën e Drenasit dhe Drenicës, si dhe heronjtë e luftës dhe paqes, Hashimi, Kadriu, Rexha dhe të tjerët, të cilët dhanë kontribut për arsimin nëpërmjet Republikës së Kosovës.
Komuna jonë, me performancën e saj, është vlerësuar në vendin e parë tash e disa vite, me ç’rast, falënderoj mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e komunës tonë, për këto suksese, andaj, në këtë ditë, përgëzoj të gjithë mësuesit dhe arsimdashësit: Urime Dita e Mësuesit!
Faleminderit!