Kryesuese e Këshillit Drejtues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është zgjedhur Dr. Sc. Lizë Rexhepi, shkruan AlbanainEducation.net.
Zëvendëskryesuese është zgjedhur Mr. Sc. Antigona Keka.
Njoftimi i plotë i UKZ:
Gjatë mbledhjes së 11-të të Këshillit Drejtues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, e mbajtur më 5 shkurt 2026, është bërë verifikimi i mandatit të anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues, të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI): Dr. Sc. Lizë Rexhepi, Mr. Sc. Antigona Keka dhe Arber Kosumi.
Mbledhja fillimisht është udhëhequr nga anëtarja më e moshuar e Këshillit Drejtues, Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, e cila pas hapjes së mbledhjes kaloi në pikën e rendit të ditës për verifikimin e mandateve të anëtarëve të rinj të KD-së. Me këtë rast, anëtarët e rinj nënshkruan edhe deklaratën etike.
Më pas, Sekretari i Përgjithshëm i UKZ-së, Isa Keka, paraqiti raportin lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues nga MAShTI, raport i cili u miratua unanimisht nga anëtarët e Këshillit Drejtues.
Pas kësaj, për Kryesuese të Këshillit Drejtues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u zgjodh Dr. Sc. Lizë Rexhepi, ndërsa për zëvendëskryesuese u zgjodh Mr. Sc. Antigona Keka.
Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, uroi anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues për emërimin e tyre nga MAShTI, duke iu dëshiruar punë të mbarë dhe suksese në përmbushjen e detyrave në të mirë të Universitetit.
Edhe Kryesuesja e Këshillit Drejtues, Dr. Sc. Lizë Rexhepi, falënderoi të gjithë për besimin e dhënë dhe theksoi se do të angazhohet maksimalisht, së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues, për forcimin e qeverisjes institucionale dhe avancimin e mëtejmë të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
Sipas Statutit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Këshilli Drejtues përbëhet nga 7 anëtarë, prej të cilëve 4 zgjidhen nga Senati i Universitetit, ndërsa 3 anëtarë emërohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).