Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur akgjykim lirues ndaj mësuesit Fehmi Ramaj për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Ramaj u shpall të enjten nga gjykatësi Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykata vlerëson se i akuzuari është gjykuar me aktgjykim të 13 korrikut 2021, ku behet fjalë për veprime të njëjta inkrimunese.
Sipas gjykatësi Ajvazi, arsyetimi i zgjeruar do të merret në formën e shkruar ku kundër këtij aktgjykimi mund të bëhet ankesë në afatin prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Ramaj akuzohej se si mësues i nivelit të ulët shkollor, në Shkolla Fillore dhe të Mesme të Ulët “Shote Galica”, në fshatin Tërdec të Drenasit, ka ndërhyrë në ditar, ku në lëndën e Biologjisë ka përmirësuar notat e 11 nxënësve, përfshirë edhe djalit të tij.
Lidhur me këtë, prokuroria e ngarkonte atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar. Për veprën e parë, Ramaj më 24 qershor 2021 ishte dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë, pasi e kishte pranuar fajësinë, kurse për veprën e dytë Gjykata Themelore në Prishtinë ka veçuar procedurën, pasi ai ishte deklaruar i pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 13 korrikut 2021, kishte hedhur poshtë akuzën ashtu që kishte pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit Ramaj për shkak të veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Mirëpo, kundër këtij vendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë të cilën e kishte aprovuar Gjykata e Apelit duke ndryshuar aktvendimin e Themelores dhe çështja ishte kthyer për gjykim në shkallë të parë.
Ndryshe, Fehmi Ramaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2020, pasi kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare të 4 majit. Ai ishte dënuar me nëntë muaj burgim për dy veprat penale.
Kundër këtij aktgjykimi kishte bërë ankesë mbrojtësi i të akuzuarit Ramaj, avokati Dreshaj, pas së cilës Gjykata e Apelit çështjen e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin se nuk janë respektuar dispozitat procedurale për pranimin e fajësisë.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 dhjetor 2019, Fehmi Ramaj akuzohej se më 30 maj 2014, rreth orës 16:00, në Shkollën Fillore të Mesme e Ulët “Shote Galica”, në fshatin Tërdec të Drenasit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, në cilësinë e personit zyrtar-mësues i nivelit të ulët shkollor, kujdestar i klasës së katërt, ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim që të përfitojnë dobi të tjerët, ashtu që ka tejkaluar kompetencat e tij, duke ndërhyrë në ditarin e klasës IX/1, ku sipas dëshirës së tij kishte përmirësuar notat ekzistuese të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2013/14, në lëndën e Biologjisë, pa dijeninë e arsimit të lëndës.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte ndërhyrë në notat e 11 nxënësve, duke përfshirë edhe djalin e tij, e duke i përmirësuar notat e tyre, me çka ka ngritur notën mesatare të tyre për të gjitha lëndët mësimore e kishte përmirësuar edhe sukseset e tyre të përgjithshme.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkaq sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, ai akuzohej se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke shënuar të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar, ashtu që pasi kishte marrë ditarin e klasës së IX, në lëndën e biologjisë i kishte notuar 11 nxënës të kësaj klase me nota sipas dëshirës së tij, pa dijeni të arsimtarit të lëndës, tani dëshmitarit Hysen Halilaj.
Me këtë, Ramaj akuzohej se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar” në bashkim real me veprën nga pika 1 e dispozitivit të aktakuzës.
Shënim: Personi e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë. /BetimipërDrejtësi