Një tjetër histori suksesi nga diaspora shqiptare vjen nga Austria. Liridon Hoti ka përfunduar me sukses studimet master në Filozofi në Vjenë, duke shënuar një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e tij akademik dhe profesional.
Punimi i tij i masterit, i cili trajton konceptin e lirisë në filozofinë e Erich Fromm, është vlerësuar për cilësinë e lartë shkencore dhe është propozuar për botim nga shtëpia botuese shkencore Dr. Kovač në Hamburg. Ky vlerësim përbën një dëshmi të seriozitetit, përkushtimit dhe nivelit akademik të punës së tij kërkimore.
Përveç formimit në filozofi, Hoti ka ndërtuar profilin e tij edhe në fushën e psikologjisë, duke ndërthurur reflektimin filozofik me kuptimin e dimensioneve njerëzore dhe shoqërore. Arritja e tij përfaqëson rezultat të viteve të tëra pune, studimi dhe përkushtimi ndaj dijes.
Rrugëtimi i tij në Austri është po ashtu një histori frymëzuese e integrimit dhe suksesit. Pas vendosjes në Vjenë, ai u përball me sfidat e një mjedisi të ri, duke u përshtatur me gjuhën, kulturën dhe jetën akademike, ndërsa në të njëjtën kohë ndërtonte karrierën dhe jetën familjare.
Diplomimi në nivelin master shënon një etapë të rëndësishme në zhvillimin e tij profesional, por duket se ky nuk është fundi i rrugëtimit akademik. Pas këtij suksesi, objektivi i radhës tashmë është i qartë: doktoratura.
Suksesi i Liridon Hotit është një shembull i fuqisë së përkushtimit, këmbënguljes dhe besimit në arsim, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë me sukses në diasporë./Albinfo.at.
