Sot në mbledhjen e 109 të Qeverisë së Kosovës është miratuar Ligji i ri i Pagave në Sektorin Publik, si dhe ai për Zyrtarët Publik.
Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë Projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës.
Projektligji përcakton edhe llogaritjen e pagës. Rrjedhimisht, me këtë Projektligj definohet saktësisht se çka konsiderohet pagë bazë, si kalkulohet dhe mënyra e pagesës e së njëjtës.
Së pari, përcaktohet se pagë bazë është ajo pjesë e pagës që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë, në një funksion apo pozitë të caktuar. Së dyti, Projektligji parasheh punën me orar të plotë si punë me kohëzgjatje javore prej 40 orësh. Së treti, kalkulimi i vlerës së pagës bazë, rezulton nga shumëzimi i koeficientit të pagës me vlerën monetare të koeficientit. Së katërti, parashihet që paga të paguhet në baza mujore deri në ditën e fundit të punës të atij muaji. Së pesti, përcaktohet se vlera monetare e koeficientit do të vendoset me ligjin vjetor të buxhetit.
Për mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është miratuar vendimi që të vlerësohen me koeficient prej 5.8, kurse për mësimdhënësit në shkollat fillore dhe ato të nivelit të ulët me koeficient 5.6.
Me koeficient 5.2 janë vlerësuar mësimdhënësit në institucionet parashkollore.
Sa i përket profesorëve, ata të rregullt të kenë koeficient 12.4, ata të asocuar me koeficient 11.4, kurse me 10.4 janë vlerësuar profesorët asistent.
Pas miratimit në Qeverinë e Kosovës, ky Projektligj i Pagave pritet që së shpejti të dërgohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës./Reporteri.net/