Ligjërata në Gjimnazin ‘Xhevdet Doda’, SBASHK vjen me reagim

- Advertisement5 -

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj mbajtjes së ligjëratës në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e realizuar nga përfaqësues të Gjykatës Speciale në bashkëpunim me organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).

- paragrafi 1 -

SBASHK e konsideron të papranueshme që institucionet arsimore të shfrytëzohen për promovimin e një narrative të njëanshme, me synimin që nxënësit të binden se Gjykata Speciale përfaqëson drejtësi.

- Advertisement -

SBASHK thotë se nuk ka padrejtësi më të madhe sesa fakti që për më shumë se pesë vite mbahen në paraburgim luftëtarët e lirisë, bashkëpunëtorë të NATO-s, të cilët luftuan për të drejtat elementare të popullit të Kosovës – për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për arsimim.

“Është e pamohueshme se gjatë viteve të represionit serb, Serbia kishte mbyllur të gjitha shkollat shqipe në Kosovë, përfshirë edhe Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Pikërisht në atë periudhë të errët, mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit, të organizuar edhe përmes SBASHK-ut, mbajtën gjallë arsimin shqip me sakrifica të jashtëzakonshme”.

“Prandaj, është paradoksale, e padrejtë dhe moralisht e papranueshme që sot, në po ato ambiente shkollore, të promovohet një gjykatë që po gjykon njëanshëm luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke e barazuar viktimën me agresorin. SBASHK reagon gjithashtu edhe ndaj përfshirjes së organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), e cila përmes këtij aktiviteti ka kontribuar në futjen e një agjende politike dhe ideologjike në institucionet arsimore, pa respektuar ndjeshmërinë historike, kombëtare dhe arsimore të shoqërisë sonë”, thuhet në reagim.

- Advertisement -

SBASHK tutje u bëjn thirrje organeve përgjegjëse – Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë dhe menaxhmentit të Gjimnazit “Xhevdet Doda” – që të marrin masa konkrete lidhur me këtë rast dhe të mos lejojnë që shkollat të shndërrohen në hapësira për promovimin e mekanizmave që cenojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare.

Njëkohësisht, SBASHK apelon te të gjithë anëtarët tanë, punëtorët e arsimit në Kosovë, që të tregojnë vigjilencë dhe përgjegjësi profesionale e kombëtare, duke mos lejuar organizimin e aktiviteteve të tilla në institucionet tona arsimore.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës tutje thotë se riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në përkrahje të drejtuesve institucionalë të asaj lufte – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë, vetëm pse ishin në anën e drejtë të historisë. Liria e Kosovës nuk është krim. Lufta për arsim, liri dhe dinjitet nuk gjykohet. /AlbanianEducation.net/.