Sot në Kosovë është duke u shënuar 7 Marsi, Dita e Mësuesit. Me këtë rast liderët politik e institucional kanë shprehur urimet e tyre për këtë datë të shënuar.
Presidentja Vjosa Osmani mësueseve dhe mësuesve ua ka uruar 7 Marsin.
Presidentja Osmani ka thënë se mësueset e mësuesit tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes.
“136- vjet më parë, në Korçë nisi punën mësonjëtorja e parë shqipe, e cila trasoi rrugën e arsimit shqip gjithandej, duke luajtur rol qenësor në formimin e vetëdijes kombëtare që prej Rilindjes Kombëtare. Mësuese e mësues tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes.
Ata nuk janë vetëm persona që japin dituri, por edhe mentorë, udhëzues dhe burim frymëzimi”.
“Në këtë ditë, të gjithë jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të tyre në formësimin e të ardhmes sonë. Arsimi cilësor është bazamenti i një shteti dhe shoqërie të suksesshme! Mësuese e mësues të dashur, urime 7 Marsi!”, ka deklaruar presidentja.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e 7 Marsit ka takuar mësuesen e tij të parë, Igballe Haziri.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se mësimdhënia nuk është vetëm një profesion, por një thirrje fisnike që kërkon durim, ndjeshmëri, patriotizëm dhe pasion, për t’ua përcjellë vlerat dhe virtytet më të larta gjeneratës së re.
“Në këtë aspekt, kontributi i mësimdhënësve tanë në frymëzimin e brezave të ri për lirinë dhe dashurinë ndaj Atdheut, ka qenë vendimtar edhe në çlirimin e Kosovës. E tillë ka qenë edhe mësuesja ime, Igballe Haziri, të cilën, bashkë me Blerandin e vizituam sot ne ditën e saj. Është gjithmonë kënaqësi e madhe ta takoj dhe të bisedoj me të për një periudhë shumë të dashur për mua. Fjalët dhe zemra e saj nuk kanë ndryshuar asnjëherë gjatë 35 viteve të fundit. Mesazhi i saj është gjithmonë i qartë e kuptimplotë – i dëshmuar përgjatë një jete në arsim: bëjini gjithmonë gjërat me dashuri e përkushtim, posaçërisht për gjeneratat e reja dhe për shtetin”, shkruan kreu i PDK-së.
Krasniqi duke uruar të gjithë mësimdhënësit për Ditën e Mësuesit, thotë se ata meritojnë kujdes më të madh.
“Për gjithçka që janë dhe përfaqësojnë, mësimdhënësit meritojnë kujdes më të madh e më të sinqertë. Jam i lumtur dhe krenar që kam qenë pjesë e qeverive që kanë kontribuar në rritjen e mirëqenies së tyre dhe në përmirësimin e dukshëm të kushteve të punës në shkollat dhe universitetet tona. Gjithsesi, puna nuk ka mbaruar. Ata meritojnë më shumë e më mirë, përherë dhe vazhdimisht! Gëzuar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve! Atyre që mbajtën gjallë arsimin shqip në të kaluarën dhe atyre që vazhdojnë të japin maksimumin për edukimin e gjeneratave të reja sot!”, shkruan Krasniqi.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar mësimdhënësit për 7 Marsin.
Haradinaj ka thënë se shoqëria duhet të rrisë edhe më tej ndërgjegjësimin për rolin jetik që mësimdhënësit japin çdo ditë për arsimimin dhe zhvillimin e gjeneratave.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se gjatë historisë së popullit shqiptar, mësimdhënësit ishin ata që brumosën breza të tërë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare.
“Gjatë historisë së popullit tonë, ishin mësimdhënësit ata që brumosën breza të tërë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Janë pikërisht mësimdhënësit tanë që edhe në kohë të errëta të robërisë nuk reshtën së punuari në përhapjen e diturisë, duke u bërë udhërrëfyes për shumë gjenerata në përpjekjet tona për liri e pavarësi”, ka thënë Haradinaj.