E premte, 26 Korrik, 2024

Librat e tim biri

- Advertisement1-

Nga Meri Lika

Muajin nëntor, ashtu si edhe dhjetorin, gjithmonë e kam pritur me shumë dëshirë, sigurisht nisur nga festat. Përveç festave të nentorit, 28 dhe 29, muaji nëntor më jep një ndjesi të veçantë edhe për shkak të Panairit të Librit. Unë kam një djalë, i cili sapo ka kaluar 11 vitet. Para dy vjetësh ai lexonte shumë libra. Të dy së bashku shkonim me qejf të madh në panair. Mua më mbushte shpirtin plot, kur shihja sytë e tij që mahnitesh në atë mori librash, ngjyrash, stendash. Më gëzonte pa masë, kur rendte nga njëra stendë tek tjetra, duke gërmuar për librat që dëshironte të blinte. Pasi i blinte, vinte me shumë “uri” në shtëpi dhe i përpinte në lexim. Ne vitin 2019 ka lexuar rreth 50 libra, por… kaq. Kemi ngelur tek vitit 2019 sepse, ka dy vjet që nuk iu afrohet më fare librave!!!

- Advertisement -

Jam kujdesur t’i edukoj dëshirën për librin, për leximin, duke e dretjuar në botën e librave klasikë, si “Çufoja dhe Bubi kaçurrel”, “Aventurat e Tom Sojerit”, “Princi i vogël”, “Djemtë e rrugës Pal”, “Zemër” etj si këto, përveç librave me përalla që vazhdojnë të mbushin bibliotekën tonë të vogël.
Në fillim i lexonte me qejf, ose darkave ia lexoja edhe unë, por këto dy vjet libri i vetëm që ai ka shumë qejf të lexoj janë serialet “Ditari i Gregut”, ka mbërritur deri tek numri pesëmbëdhjetë. Në fakt mund të them se e ka braktisur fare leximin dhe i është përkushtuar totalisht teknolologjisë, edhe pse unë vazhdoj të këmbëngul, duke i programuar, të paktën gjysmë ore në ditë për leximin.

Por sot nuk do të shkruaj në lidhje me raportin e teknologjisë dhe fëmijve, sepse mendoj që është një fazë të cilën të gjithë e kemi kaluar dhe është trajtuar e trajtohet nga psikologët. Sot dua të shkruaj për tendencën e librave që i ofrohen moshës së tij. Nëse nuk i dini, po ju them se titujt e librave të tim biri, të blerë nga vetë ai por dhe të dhuruara nga shokët, janë: “Si të vjedhësh një bankë” (tmerr ky titull!), “Dentistja shtrigë” (tmerri vazhdon!), “Gjyshja gango” (gjyshja jonë vishet me të zeza!), “Fëmijët më të këqijë në botë” (1, 2 dhe 3) (në klasën e tim biri nuk njoh asnjë fëmijë që të jetë më i keqi në botë?!), “Mësuesit më të këqijë në botë” (edhe këtu jam me deficit?!), “Shkolla nëntë vjeçare, vitet më të këqijë të jetë sime” (po pse tetëvjeçarja ime ka qenë aq e bukur?). “Babi i keq” (këtu e humba fare fillin!), këta e shumë e shumë të tjerë, janë titujt e librave që gjenden sot në treg dhe që tërheqin shumë fëmijët e kësaj moshe.

E shqetësuar një ditë i them:
– Si t’u duk ky libri “Babi i keq”, se nga titulli nuk më duket si libër i mirë?
– E ke gabim – më tha-, ai flet për një baba i cili për të siguruar jetëesën për djalin e tij, u fut në rrugën e krimeve, parandaj ka këtë titull. Jam i sigurt që nëse ti do ta lexosh, do qash.

Nuk fola. Thjesht mendova me veten time, a duhet ta vlerësoja librin apo duhet ta quaja një libër të keq, tek i cili përveç titullit, po më shqetësonte shumë edhe përmbajtja. Pra, djali im sot kishte një shembull që nëse nuk ia del dot në jetë, le të futet në rrugën e krimit. Ende sot jam në dilemë në lidhje me këtë libër por edhe me të tjerët që kam përmendur më sipër, të cilët nga titujt e tyre lënë shumë për të dëshiruar.

Nuk jam aspak nostalgjike për kohën e diktaturës, por një gjë më duhet ta përmend. Atëherë, përpara se të botoheshin, librat përzgjidheshin. Po tani a ndodh një përzgjedhje për librat që dalin në treg? A ka tani një institucion që t’i ndihmojë fëmijët tanë, por edhe ne, në mënyrë që të mbrohemi nga letërsia e keqe? Sytë gjithmonë drejtohen nga shteti. Ku dreqin është ky shtet që nuk na del në asnjë shteg?! Nuk e di se sa prindër të tjerë e kanë këtë shqetësim si unë, mendoj se duhet të ketë të tjerë, shpresoj dhe uroj të mos jem vetëm unë. Pikërisht këtyre prindërve po ua drejtoj këtë shkrim, sepse kam nevojë për mendim dhe për ndihmë. Nuk po kërkoj të shkëmbejmë receta prindërimi, por jam duke kërkuar një aksion qytetar, në ndihmë të fëmijëve tanë. Le ta fillojmë që tek Panairi i këtij viti, por se si duhet ta fillojmë, me të vërtetë nuk e di!

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Vera Çollaku nga Prizreni diplomon në afat rekord në Fakultetin e Mjekëisë

Vera Çollaku 23 vjeçare nga Prizreni ka diplomuar në afat rekord në Fakultetin e...

Argjent Latifi nga Podujeva diplomon në njërin prej universiteteve më të njohura në Londër

I riu kosovar Argjent Latifi, me origjinë nga qyteti i Podujevës, është bërë tashmë...

Erëza Durmishi, doktoresha më e re në qytetin e Mitrovicës – diplomon në afat rekord

Qytetit të Mitrovicës i'u shtua edhe një mjeke e re, kjo është Erëza Y....

Alarmante: Bie në nivel rekord interesimi për të studiuar në Juridik, nuk plotësohet as numri

Më 4 korrik, Universiteti i Prishtinës zyrtarisht hapi konkursin për pranimin e studentëve të...