Nga: Xhevdet Pozhari
Të merresh me gazetari dhe analizë në Kosovë, në një mënyrë apo tjetër, përveç bindjeve tua në raport me fenomene të ndryshme, e ekspozon edhe një pjesë të privatësisë. Asnjëherë nuk mund ta dish se kënd e gërvisht fjala publike dhe çfarë reagimi i shkakton.
Kohë më parë, pata bërë një shkrim se nëse Qeveria e Kosovës e cila me të drejtë quhet edhe shpresa e fundit nuk bën asgjë për të rinjtë e këtij vend, ata le t’i kapin valixhet dhe të ikin, se nuk ka asgjë këtu! Ky shkrim kishte gërvishtur plagët e një të riu i cili më kishte dërguar letrën lamtumirëse që e kishte ndarë deri në këto momente veç me familjen e tij.
E, tash e tutje me të gjithë ne. Me shpresën se dëshpërimi rinor do të zëvendësohet me perspektivën e brezave të rinj në vendin ku shpeshherë e kalojnë vetëm stinën e parë të jetës, po e publikoj të plotë zërin e një prej të shumtëve që hasi në veshë të shurdhër nga ata që do të duhej të ishin përgjegjës për të ardhmen e tyre.
Në vazhdim, letra e plotë.
… Kosovë, unë nuk kam një vendlindje të dytë, aq sa mund të ketë njeriu një nënë të dytë! Por, ti nuk pate vend për mua, për ëndrrat e mia, rininë time. Andaj, zgjodha të iki Kosovë. Ndaj meje u solle si të isha pjellë e padëshiruar, barrë që doje një çast e më parë ta flakje në rrugë. Me netë të tëra kam menduar si t’ia them nënës, babës, vëllait, motrës… në fund ngaqë nuk pata fuqi, zgjodha ta lë një letër- Kosova nuk pati vend për mua, andaj zgjodha të iki!
Para se ta ndërmarrja këtë veprim, kam pritur me muaj e vite që diploma ime të vlerësohej nga dikush. Me naivitetin rinor besoja se në konkurset e institucioneve ku trokisja, dikush do t’i shihte edhe kualifikimet e mia. Do të kujtohet se dikush kishte sakrifikuar bukën që të më shkollonte, se një nënë kishte sakrifikuar gjumin nga malli që unë të kthehesha nga studimet me suksese dhe të nisja jetën ashtu siç e meriton secili i ri që është i gatshëm potencialin e tij ta shkrijë në shërbim të vendit. Por, gradualisht e kuptova se mua më mungonte një librezë partiake ose një “dajë” i fortë!
Kishte raste kur merrja premtime se ndonjë vend pune mund të gjendej edhe për mua dhe pranoja me duart të cilat më dridheshin të shërbeja si kamarier. Vetngushëllimi është punë e përkohshme. Paratë që fitoj janë ndihmesë për familjen time që t’ua lehtësoj shpenzimet e studimeve të mia. Veçanërisht pasi që e kuptova se babai i pensionuar kishte raste kur ilaçet e tij nuk i blinte vetëm që mua të më dërgonte më shumë të holla. E, ato para mua mu bënë helm, mu lidhen nyje, si fati i shumë të rinjve, Kosovë! Andaj, sot kur po largohem, nuk e di nëse më shumë dhemb shpirti pse ti nuk pate një vend për mua, nëse iki nga pafuqia të ndihmoj familjen apo nëse më tremb mendimi se këtu mund të mos të kem të ardhme. Se mund tërë jetën ta kaloj me një diplomë e cila zverdhet në sirtar derisa të mbulohet nga pluhuri i harresës.
Por, pak rëndësi ka tashmë. Unë zgjodha t’ua lë këtë letër prindërve të mi dhe të iki në heshtje. Pa akuzuar askënd. As ata që thonë se këtu ka vende pune por të rinjtë janë dembelë, e në fakt të tillët nuk kërkojnë punëtorë por skllevër. Heshta edhe ndaj atyre që më nënçmonin për punën e ndershme që bëja. Nuk fola as kur pushtetarë të ndryshëm lavdëroheshin me shifrat e punësimeve që në thelb ishin nepotizëm i pastër. Ushqehesha vetëm me fjalën e prindërve – bëj durim, një ditë do të të buzëqeshë fati edhe ty!
Por, dikur durimi krahasuar me vrullin u shpenzua. U shkërmoq nga ata që rrënonin ëndrrat e të rinjve, nga ata që kishin një akuzë të gatshme për të gjithë të tjerët e jo për vetveten. Prandaj, në fund zgjodha që unë të iki nga ky vend, Kosovë.
Pas lash veç këtë letër lamtumirëse dhe diplomën e pluhurosur të cilën nëna ime kujdeset që ta pastroj me lotë. /shqip.com/