Letra e mëposhtme i drejtohet nxënësve të klasës së 5-të B të shkollës “Naim Frashëri” të qytetit të Elbasanit.
Mësuesja e tyre Diana Hoxha ka dhënë mesazhe emocionuese dhe shumë të vlefshme për këta vogëlush të cilët këtë vit përfundojnë ciklin 5-vjeçar të shkollës.
Shtator 2015-Qershor 2020
Nxënësit e mi të dashur!
Epo ja ku jemi!
Është e vështirë të besosh që koha jonë së bashku përfundoi.
5 vite shkollore,5 vite mësimdhënie, një detyrë e vështirë dhe komplekse. Kam shkelur me kujdes dhe maturi në rrugën nëpër të cilën ecën një mësues i suksesshëm. Nuk ka qenë e thjeshtë! Të dashur nxënësit e mi. Funde të tilla kanë qenë gjithmonë të vështira për mua. Ka akoma shumë gjëra për të mësuar nga njëri-tjetri, por është koha që secili prej jush të vazhdojë rrugëtimin e tij!
Zhvillimi i vrullshëm i shoqërisë së sotme si dhe rritja me ritme marramendëse e informacionit, kanë bërë të mundur që mësimdhënia të ndryshojë në vazhdimësi. Në këtë proces jemi përpjekur shumë te tre palët: fëmijët-mësuesit-prindërit. Ky bashkëpunim ka qenë i frytshëm, me gjithë problemet që ndonjëherë kemi hasur. Është e vërtetë që gjatë këtyre 5 viteve bashkë kemi mësuar shumë. Disa prej tyre mund të quhen edhe ‘mësime jete’. Por përpara se të ndahemi bashkë, kam dhe një mësim tjetër për ju kështu që jini të vëmendshëm.
Jini të sjellshëm!
Nesër kur gjithsecili prej jush të ketë marrë drejtimin e tij dhe rastësisht në rrugë, të takoheni me shokët e shoqet e klasës, kini parasysh që askush nuk do të kujtojë notat apo se çfarë bënit gjatë orës së mësimit. Jo! Ata do të kujtojnë se si i keni trajtuar dhe sa respekt keni treguar ndaj tyre. Prandaj jeni ju që vendosni se si do të kujtoheni. Shpresoj shumë që ju të zgjidhni mirësinë si tiparin tuaj dallues. Ndonjëherë të qenit i mirë kërkon trimëri dhe guxim. Ndonjëherë do t’ju duhet të bëni zgjedhje të vështira. Në momente si këto qëndroni vetvetja dhe dëgjoni zemrën tuaj.
Ajo rrallëherë çon në humbje!
Dhe duke folur për mirësinë, jini të mirë me prindërit tuaj, motrat, vellezerit…
Ndoshta nuk e kuptoni, por ata janë kampionët tuaj më të mëdhenj.
Ju jeni kryevepra e tyre, prandaj mos harroni se, mënyra si ju veproni është një reflektim dhe për to. Të jesh i mirë me të tjerët fillon nga të qenit i mirë me veten. Mësoni nga gabimet, zhgënjimet dhe përsëritjani vetes që herën tjetër do të shkojë më mirë.
Përmasat kryesore të mësimdhënies së suksesshme janë dy: synimi dhe rezultatet. Për realizimin e tyre jam përpjekur të jem e drejtë, demokrate, e përgjegjshme, e kuptueshme, e dashur, nxitëse, origjinale, syçelët, e ekuilibruar, e matur dhe me besim në vetvete.
A ja kam dalë? Mbetet për t’u parë. Ne mësuesit vlerësohemi me rezultatet e nxënësve.
Ju e dini që në zemrën time do të mbani gjithmonë një vend të veçantë pasi jeni të fundit që unë çova deri në fund. Sot tek ju shoh të rritur e të përgatitur i them dhe prindërve të mos shqetësohen sepse e ardhmja jonë është në duar të sigurta! Duke u ndarë nga njëri-tjetri dua t’ju falënderoj që u bëtë pjesë e historisë sime. Po e mbyllim këtë cikël në mënyrë të pazakontë si rezultat i pandemisë. Por “çdo e keqe e ka një të mirë”.
Në këto kushte bashkëpunimi u bë edhe më intensiv dhe i frytshëm. Përgëzoj dhe falënderoj nga zemra nxënësit dhe prindërit e tyre të shkëlqyer për punën e palodhur.
Si mësuese jam e mendimit që nxënësit e mirë vendosen në të njëjtën klasë për një motiv të caktuar. Ju jeni vërtet më të mirët!
Është bukur të mendosh që ashtu siç isha unë ajo që ju dha dijet e para, jam po unë ajo që dhe po i përmbyll ato në këtë finalizim cikli. Të isha mësuesja juaj ka qenë një kënaqësi dhe një nder i veçantë. Do të festoj gjithmonë sukseset tuaja dhe do të duartrokas çdo arritje që jeta do t’ju ofrojë.
Shërbejini botës për mirë! Ju dua shumë! Do t’ju kem në zemër!
Mësuese: Diana Hoxha