Gabimi i mbrojtur sot, bëhet problem nesër!
Shpesh thuhet se “sot ka pak prindër që e qortojnë fëmijën; sot prindërit i qortojnë mësimdhënësit”. Kjo thënie, sa e thjeshtë në fjalë, aq e thellë është në kuptim. Ajo shpalos një realitet që çdo shkollë, çdo klasë dhe çdo mësimdhënës e ndjen përditë: ndryshimin e rolit të prindit dhe raportit të tij me edukimin e fëmijës.
Dikur prindi ishte bashkëpunëtori kryesor i shkollës. Një fjalë e mësuesit respektohej si këshillë, si udhëzim dhe si vlerë. Në familje, fëmija mësonte disiplinën, përgjegjësinë dhe rëndësinë e sjelljes së mirë. Shkolla e thellonte këtë edukim, ndërsa prindi e përforconte. Ishte një trekëndësh i fortë, i qartë dhe i pandashëm.
Sot, shpesh hasim një pamje tjetër. Kur fëmija gabon, prindi shpesh nuk e sheh gabimin tek fëmija, por tek mësuesi. Në vend që prindi të pyesë Çfarë ndodhi? Si mund ta ndihmoj fëmijën tim të përmirësohet?Pyrsin,Çfarë i bëri mësuesi fëmijës tim?
Në këtë mënyrë, përgjegjësia zhvendoset, edukimi dobësohet dhe fëmija mëson një mësim të gabuar: “Nuk është faji im, të tjerët janë fajtorë”.
Kjo është e rrezikshme. Fëmija që nuk mësohet të pranojë përgjegjësi, të ndreqë gabimet dhe të respektojë autoritetin, rritet me bindjen se bota duhet t’i përshtatet atij. Por jeta nuk funksionon kështu. Jeta kërkon vullnet, disiplinë, sjellje të mirë, punë të ndershme dhe respekt për tjetrin.
Roli i prindit në edukim është i pazëvendësueshëm. Edhe mësuesi më i mirë s’ka fuqi nëse prindi nuk e mbështet. Kur prindi bashkëpunon me shkollën, kur prindi e dëgjon, e kupton dhe e vlerëson mësuesin, fëmija mëson më shumë, sillet më mirë dhe rritet më i sigurt në vetvete. Ky bashkëpunim është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e fëmijës.
Nuk është qëllimi i askujt të qortojë prindërit, por t’u rikujtojë se edukimi është detyrë e përbashkët. Mësuesi nuk është “kundërshtar” i prindit. Ai është bashkëpuntor, udhërrëfyes, mbështetës, njeri që e do suksesin e fëmijës po aq sa prindi vetë. Kur prindi dhe mësuesi flasin të njëjtën gjuhë, fëmija lulëzon.
Prandaj është koha të kthehemi tek vlerat e dikurshme: respekti, mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe përgjegjësia. Fëmijët tanë meritojnë një edukim të fortë – dhe ky edukim fillon nga familja, përforcohet në shkollë dhe kompletohet kur të dy palët punojnë për të njëjtën qëllim.
Sepse fëmija rritet më i udhëzuar kur prindi e mbështet mësuesin, dhe mësuesi e udhëheq fëmijën me dashuri e profesionalizëm.
Pyerje për diskutim:
1. A duhet prindi ta mbrojë fëmijën kur ai gabon? Pse po ose pse jo?
2. Si ndikon bashkëpunimi midis prindit dhe mësuesit në sjelljen dhe suksesin e fëmijës?