Gjuha e matematikës
Matematika është një gjuhë e veçantë që na shoqëron çdo ditë, edhe kur nuk e kuptojmë.
Ajo flet me numra, shenja dhe rregulla të thjeshta, por me kuptime shumë të mëdha. Nëpërmjet saj mësojmë të krahasojmë, të llogarisim dhe të kuptojmë botën që na rrethon.
Shenja + na mëson se në jetë gjithmonë mund të shtojmë diçka të bukur: më shumë dashuri, më shumë dituri dhe më shumë buzëqeshje. Çdo ditë është një mundësi për të shtuar mirësi në zemrat tona.
Shenja − na kujton se ndonjëherë duhet të largojmë gjërat që na rëndojnë: mërzinë, frikën dhe fjalët e këqija. Kur heqim negativitetin, zemra bëhet më e lehtë dhe mendja më e qetë.
Shenja • tregon forcën e shumëfishimit. Një fjalë e mirë, një ndihmë e vogël apo një buzëqeshje mund të bëhen “herë më shumë” dhe të përhapen tek të tjerët. E mira gjithmonë rritet kur ndahet me zemër.
Ndërsa shenja : na mëson ndarjen dhe barazinë. Kur ndajmë dashuri, respekt apo dije me të tjerët, bota bëhet më e bukur dhe më njerëzore.
Matematika nuk është vetëm lëndë shkollore. Ajo është gjuhë e logjikës, e rregullit dhe e jetës. Në çdo numër dhe shenjë fshihet një mesazh i bukur: të mësojmë, të bashkëpunojmë dhe të ecim përpara me mençuri.