Lendita Uka Ibishi: Kur hesht edukata, flet dhimbja

- Advertisement5 -

Ka diçka të trishtë që po ndodh mes nesh. Diçka që nuk shihet me sy, por ndjehet në shpirt.

- paragrafi 1 -

Po humbasim fëmijët tanë… jo sepse nuk i duam, por sepse po harrojmë si t’i udhëheqim me zemër.

- Advertisement -

Dikur fëmijët rriteshin me urtësinë e gjyshërve, me rregullin e prindërve, me respektin ndaj mësuesit dhe me frikën e të bërit gabim. Sot, shumë prej tyre rriten mes zhurmave, shpërqendrimeve, fjalëve të ashpra, pamundësisë për t’u dëgjuar dhe mungesës së kufijve. Dhe kjo po na kushton shtrenjtë…

Shoqëri që po lodhet nga mungesa e edukatës!

Sa shpesh shohim sot fëmijë që i kthejnë fjalën prindit?
Sa shpesh i shohim të flasin me përçmim, të ngrenë zërin, të ofendojnë, të shtyjnë njëri-tjetrin në rrugë?
Ata nuk janë të këqij. Ata janë të humbur.
Janë fëmijë që presin dikë t’u tregojë se si të jenë të mirë, por nuk e gjejnë gjithmonë këtë model.

- Advertisement -

Në shoqërinë ku fjala e keqe normalizohet, ku respekti duket “i vjetër”, ku vlerat shpesh trajtohen si dobësi, fëmijët rriten pa busull. Pa drejtim. Pa frenë.
Dhe kur fëmijët rriten pa busull, edhe e ardhmja humbet drejtimin.

–Pasqyra më e dhimbshme e realitetit!

Në shkolla po ndodh diçka e dhimbshme.
Në vend të respektit, shpesh ka sfidim.
Në vend të falënderimit, vjen mosmirënjohja.
Në vend të bashkëpunimit, ka xhelozi, ofendime dhe përçmim.

Mësuesit, që dikur ishin figurat më të respektuara, shpesh sot përballen me mungesë edukate, me fjalë të rënda, me mungesë vëmendjeje, me fëmijë që nuk dinë të kërkojnë falje e as të pranojnë gabimin.
Disa klasa janë kthyer në beteja të heshtura ku mësimi po lufton me sjelljet e këqija, dhe jo gjithmonë fiton mësimi.

Dhe të mendosh se fëmijët e sotëm janë mësuesit, mjekët, prindërit dhe udhëheqësit e nesërm…

Ku po dështojmë?

Po dështojmë kur u japim fëmijëve gjithçka materiale, por jo kohë.
Po dështojmë kur i rrisim në telefon, jo në bisedë.
Po dështojmë kur i justifikojmë gabimet e tyre, në vend që t’i drejtojmë.
Po dështojmë kur i lëmë të bëhen viktima të internetit, të krahasimeve, të botës që u merr pafajësinë.
Po dështojmë sepse kemi harruar se edukata nuk fillon në shkollë, por në zemrën e shtëpisë.

Fëmija nuk lind i paedukatë.
Paedukata mësohet.
Paedukata shihet.
Paedukata përvetësohet kur nuk ka kush ta ndalë.

– Kthejeni dritën tek fëmijët!

Shoqëria nuk mund të shërohet duke arsyetuar gabimet e fëmijëve.
Ajo shërohet duke i udhëhequr ata.
Duke u folur me dashuri, por edhe me rregull.
Duke qenë prindër, dhe jo vetëm shokë.
Duke qenë mësues që nuk dorëzohen, edhe kur zemra u thyhet nga lodhja.
Duke qenë të rritur që japin shembull, jo që kërkojnë justifikime.

Nëse sot nuk kujdesemi për edukatën e fëmijëve, nesër do të kujdesemi për problemet e tyre.
Nëse sot nuk i mësojmë të respektojnë, nesër do të presim nga ata diçka që nuk ua kemi dhënë.
Nëse sot nuk i mësojmë të jenë të butë, nesër do të na godasë ashpërsia që vetë e kemi rritur.

– Ende ka shpresë!

Ende ka kohë të ringjallim edukatën.
Ende ka prindër të përkushtuar, mësues të palodhur, zemra që nuk dorëzohen.
Nëse të rriturit bashkohen – familja, shkolla dhe shoqëria – fëmijët tanë mund të rikthehen tek rruga e mirësisë.
Sepse çdo fëmijë, edhe ai që sot duket i vështirë, ka dritë brenda…
Por dikush duhet t’ia ndezë