Lendita Uka Ibishi: Detyra e mësuesit është t’i japë nxënësit hapësirë për të mësuar, për të gabuar, për të reflektuar

- Advertisement -

Edukimi është udhëtimi më i bukur dhe më fisnik që mund t’i ndodhë një njeriu. Ai nuk fillon vetëm me mësimin e shkronjave e numrave, por me zbulimin e vetvetes, të botës përreth dhe të vlerave që e bëjnë njeriun të vlefshëm. Në qendër të këtij udhëtimi qëndron nxënësi – qenia ma e bukur dhe e ndjeshme që ka nevojë për përkujdesje, dashuri dhe udhëzim të vazhdueshëm.

- paragrafi 1 -

Zhvillimi personal i nxënësit nuk ndodh vetëm nëpërmjet librave. Ai ndodh çdo ditë, në çdo situatë, përmes shembullit të mësuesit, fjalës së mirë, përkrahjes, por edhe përmes sfidave që e mësojnë të jetë i fortë. Çdo nxënës vjen në shkollë me një histori të vetën, me ëndrra e ndjenja që presin të kuptohen. Detyra e mësuesit është t’i japë atij hapësirë për të mësuar, për të gabuar, për të reflektuar dhe për të rritur besimin në vetvete.

- Advertisement -

Mësuesi nuk është vetëm një transmetues i dijes, por një ndërtues shpirtrash. Ai i mëson nxënësit se dijet pa vlera nuk kanë kuptim, dhe se suksesi i vërtetë është të jesh njeri i mirë, i drejtë dhe i ndjeshëm ndaj të tjerëve. Edukimi i vërtetë është ai që prek zemrën, që ngjall kurreshtjen dhe dëshirën për të mësuar gjatë gjithë jetës.

Zhvillimi personal nënkupton më shumë sesa të arrish rezultate të mira në mësime. Ai nënkupton të mësohesh të njohësh ndjenjat e tua, të respektosh mendimin e tjetrit, të jesh i guximshëm për të shprehur mendimet dhe për të ndjekur ëndrrat e tua. Mësuesi i mirë është ai që e sheh çdo nxënës si një univers të vogël që rritet me dritën e dijes dhe dashurisë.

Në një shkollë ku mbizotëron respekti, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, zhvillimi personal i nxënësit ndodh natyrshëm. Çdo ditë në klasë është një mundësi për të mësuar diçka të re, për të zbuluar talentet e fshehura dhe për të ndërtuar besim te vetja dhe te të tjerët. Edukimi është dritë që ndriçon jetën, dhe mësuesi është ai që mban ndezur këtë dritë në zemrat e fëmijëve.

- Advertisement -

Prandaj, edukimi i nxënësit dhe zhvillimi personal janë dy shtylla që ecin krah për krah. Të edukosh do të thotë të ndërtosh njerëz me zemër të mirë, me mendje të hapur dhe me shpirt të ndjeshëm ndaj botës. Kur një nxënës rritet me dashuri, kuptim dhe drejtim të duhur, ai jo vetëm bëhet njeri i ditur, por edhe njeri i vlefshëm për shoqërinë.

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara