(Mos) lejimi i bartjes së shamisë në shkolla: Ky është qëndrimi i Ministrisë dhe njohësve të arsimit

- Advertisement -

Ditëve të fundit janë shtuar zërat për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit i cili e ndalon bartjen e shamisë në shkolla.

- paragrafi 1 -

Një kërkesë për shfuqizimin e nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ i ka shkuar Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci nga ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurit, juristi Durim Berisha.

- Advertisement -

Berisha për FrontOnline tha se ndryshimi i këtij udhëzimi administrativ duhet të bëhet pasi që po kufizohet e drejta për arsimin dhe e drejta për të manifestuar besimin.

“Ndryshimi i Udhëzimit Administrativ duhet bërë për shkak se liritë dhe te drejtat themelore, në këtë rast e drejta për arsimim dhe e drejta për te manifestuar besimin, po kufizohen me akt nënligjor, gjë që është a palejueshme sipas Kushtetutës së Kosovës”, tha ai për Front Online.

Ndërsa i pyetur se pse e ka marrë iniciativën për t’i dërguar një kërkesë të tillë Ministres, Berisha thotë se ajo erdhi pas mosveprimit të tyre.

- Advertisement -

“Kërkesa drejtuar ministres znj. Nagavci vjen si rezultat i mosveprimit të kësaj ministrie për të përmbushur një detyrim ligjor, sepse dispozita e kontestuar është ligjërisht e pavlefshme. Prandaj besojmë se ministrja do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës tonë”, u shpreh ai.

Se udhëzimi administrativ për ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla duhet të ndryshohet e thotë edhe njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.

Ai për FrontOnline, tha se jolegjitimiteti i këtij udhëzimi administrativ nuk guxon të vazhdoj tutje.

“Mbajta e mbulesës është e drejt e garantuar kushtetuese, sikurse që është edhe e drejta e barabartë e shkollimit. UA që kufizon mbajtjen e shamisë në shkolla të mesme të larta cenon këto të drejta dhe padrejtësisht mund të kufizoj shkollimin e nxënësve. Jo legjitimiteti i këtij udhëzimi administrativ nuk guxon të vazhdoj tutje”, tha Qehaja për Front Online.

Ndërsa nga Ministria e Arsimit, për FrontOnline, thonë se janë duke e trajtuar këtë çështje dhe se do të dalin me një vendim të ri.

“Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do të ju njoftojmë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Front Online.

Për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla edhe në rrjetin social Facebook ka nisur një fushatë me fotografi me hashtag #ndryshojeni_ua_per_shaminë.