Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur sot alarmin se bllokimi i buxhetit nga Qeveria qendrore po rrezikon drejtpërdrejt funksionimin e jetës në Kryeqytet, duke nisur nga shërbimet më të ndjeshme – si ushqimi i nxënësve në shkolla.
Sipas tij, shumë shkolla tashmë janë në pamundësi financiare për të siguruar ushqimin ditor të fëmijëve, ndërsa situata pritet të përkeqësohet në ditët në vijim.
Ai ka bërë të ditur se edhe nga nesër do të ndërpritet transporti publik, çka do të ndikojë direkt te nxënësit dhe mësimdhënësit që lëvizin me autobusët e trafikut urban.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar media dhe qytetarë,
Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë qytetarët të rrezikohen në këtë shkallë, siç po ndodh sot. Për herë të parë në historinë e Kosovës po ndodh që Qeveria qendrore t’i bllokojë të hyrat vetanake Kryeqytetit. Shërbime jetike të Kryeqytetit – ushqimi në shkolla, transporti publik, shëndetësia, ndihmat sociale – janë në prag të ndërprerjes. Bëhet fjalë për funksione elementare të qytetit tonë, për mirëqenien e fëmijëve, të moshuarve dhe familjeve tona.
Prej mbi një viti, në mënyrë të vazhdueshme dhe plotësisht në përputhje me procedurat ligjore, kemi kërkuar alokimin e buxhetit që i takon Kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtuar. Buxheti i Prishtinës është bllokuar për motive krejtësisht politike.
35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë euro të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar, janë bllokuar nga Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.
Për këtë arsye, kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë Hekuran Murati dhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të Ministrisë së Financave për shkelje të qarta të ligjit.
Jemi drejtuar Kryeministrit në detyrë, Presidentes dhe kemi kërkuar shqyrtim urgjent edhe nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga dhe shërbimet bazike janë në rrezik serioz e të menjëhershëm.
Të nderuar qytetarë,
Sapo përfundova një takim me përfaqësues të Transportit Urban dhe të Shoqatës së Transportueseve të sektorit privat, të cilët më njoftuan se nga nesër transporti publik në Kryeqytet do të ndalet. Paralajmërime të njëjta kemi marrë edhe nga ndërmarrje të tjera, të cilat prej muajsh nuk kanë marrë pagesat – duke cenuar kështu shërbimet esenciale të qytetarëve të Kryeqytetit.
Me keqardhje të thellë e them: nuk kam besuar kurrë se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore. Buxheti i Kryeqytetit është përdor si mjet në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet kanë përfunduar. Qytetarët votuan për zhvillim, jo për bllokim.
Megjithatë, dua të shpreh mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë ata që, përkundër sfidave, kanë vazhduar punën me dinjitet: punonjësit e ndërmarrjeve publike, mësimdhënësit, personeli shëndetësor dhe social, punëtorët e shërbimeve komunale, sektori i kulturës, sportit dhe sektori privat. Ju jeni heronjtë e vërtetë të qytetit tonë.
Në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, dua t’ju rikujtoj një fakt të rëndësishëm: qytetarët janë përcaktuar që unë ta çoj përpara këtë mandat, dhe ky mandat vazhdon edhe për katër vite të tjera. Kryeqyteti duhet të funksionojë. Kryeqyteti nuk bllokohet.
Prandaj, bëj thirrje publike dhe institucionale:
• Zyrtarëve shtetërorë dhe ministrave në detyrë, veproni profesionalisht, në pajtim me ligjin dhe bashkëpunoni.
• Zgjedhjet kanë përfunduar. Tani është koha të kthehemi në punë.
• Të lëmë anash logjikën partiake dhe të vendosim qytetarin në qendër.
Le të punojmë së bashku që:
• fëmijët të shkojnë në shkollë me ushqim dhe siguri;
• të moshuarit të kenë kujdes dhe mbështetje;
• qytetarët të kenë transport publik;
• rrugët të jenë të ndriçuara;
• shërbimet komunale të funksionojnë pa ndërprerje;
• të mbajmë gjallë jetën kulturore, artistike e sportive në Kryeqytet;
• të vazhdojmë zhvillimin e projekteve të mëdha dhe transformuese.
Kryeqyteti është zemra e vendit.
Prishtina nuk mund të bllokohet për interesa të ngushta, jo profesionale, jashtëligjore dhe krejtësisht politike.
Ju ftoj të gjithëve, të ndryshojmë këtë mendësi shkatërruese.
Të bashkohemi dhe të ecim përpara në shërbim të qytetarëve dhe të vendit tonë.
Faleminderit