Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se pas një pune disa mujore, prezantuam sot Udhëzuesin për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve konkretisht vlerësimin e brendshëm për vazhdim/përtëritje të licencës së karrierës dhe njoftimet për procesin e licencës së avancuar, shkruan AlbanianEducation.net.
Postimi i ministres:
Pas një pune disa mujore, prezantuam sot Udhëzuesin për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve konkretisht vlerësimin e brendshëm për vazhdim/përtëritje të licencës së karrierës dhe njoftimet për procesin e licencës së avancuar.
Ky Udhëzues i hartuar nga MAShTI me mbështetje dhe kontribut të akterëve të shumtë, ka rëndësi të veçantë për procesin e vazhdimit/përtëritjes të licencës së karrierës së mësimdhënësve në sistemin e arsimit parauniversitar.
Qasja e ndjekur në përgatitjen e këtij dokumenti, është e bazuar në tri politikat arsimore të miratura nga MASHTI:
– Kornizën strategjike për zhvillimin e mësimdhënies në Kosovë,
-UA për sistemin e licencimit dhe karrierën në mësimdhënie,
-UA për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.
Bazuar në legjislacionin në fuqi, sistemi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve përbëhet nga vlerësimi i brendshëm dhe vlerësimi i jashtëm, ku procesi i vlerësimit të brendshëm udhëhiqet nga shkolla, ndërsa ai i vlerësimit të jashtëm nga MAShTI dhe Inspektorati. Vlerësimi i jashtëm nga MAShTI dhe Inspektorati i Arsimit realizohet për licencë të avancuar dhe përfshinë vlerësimin me shkrim dhe vlerësimin nga Inspektorati i Arsimit.
Sipas standardeve dhe kompetencave të përcaktuara, në këtë fazë mësimdhënësi i karrierës, pajiset me licencën e karrierës, e cila lëshohet për shtatë vite. Licenca e mësimdhënësit të karrierës duhet të përtërihet çdo shtatë vjet, me kusht që mësimdhënësi të ketë kryer 100 orë trajnim gjatë gjithë kohëzgjatjes së licencës dhe të ketë demonstruar kërkesat minimale të performancës për ripërtërirjen e licencës së karrierës.
Aktualisht jemi në fazën finale të përgatitjes së platformës digjitale për procesin e aplikimit dhe pajisjen me licencë të mësimdhënësve, platformë e cila së shpejti do të lansohet në e-Kosova.
Falenderoj gjithë ata që kanë kontribuar në procesin e hartimit të këtij Udhëzuesi si : zyrtarë nga MAShTI, Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, ekspertë vendor e ndërkombëtarë, përfshirë Zyrën e BE-së në Kosovë, përfaqësues nga DKA, drejtorë shkollave dhe mësimdhënës.