S’ka pranim marrëveshje nga SBASHK. Propozimi i kryetarit të Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola që SBASHK të ndërpres grevë dhe të përdor mekanizmit e mos-notimit të nxënësve, si presion ndaj Qeverisë së Kosovës për t’i plotësuar kërkesat e tyre ka marrë një ‘JO’ të madhe të premten mbrëma SBASHK-u.
Gola, ka thënë se refuzimi i SBASHK është kategorik dhe i barrikaduar. Ai e ka quajtur të çuditshëm refuzimin e SBASHK nëpërmjet takimit online që e kishin të premten.
“Është refuzim kategorik, i pamëdyshje dhe goxha do të thoja i barrikaduar. Nemund ta kontestojmë metodologjinë si i kanë mbledhur ato të dhëna. Një refuzim goxha i çuditshëm i propozimit aspak politik, aspak taktizues, por të sinqertë”, ka deklaruar ai.
Gola i ka parë me dyshim mesazhet që udhëheqësit e SBASHK-ut i kanë dërguar nëpër shkollat e Kosovës, ku propozimi i tij paraqitet edhe si propozim i ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Ai ka thënë se kjo mund të jetë bërë për të krijuar pyetje sugjestive te anëtarët sindikalë në nivele komunale.
“Ata i kanë shpërndarë në komuna, kush është për propozimin e Ardian Golës. Ata e kanë futur edhe Hekuran Muratin, ai s’ka bërë asnjë propozim të tillë, por kush e di se si… Ato mesazhe janë në atë mënyrë që propozimi im të duket i orkestruar politikisht, që me futë pyka dhe përçarje në grevën e sindikalistëve”, ka thënë ai.
Gola ka thënë se propozimi i tij nuk ishte i koordinuar me kryeministrin Albin Kurti, por ishte i diskutuar me anëtarët e komisionit që e drejton.
“Unë nuk jam koordinuar me kryeminsitrin Kurti, absolutisht jo. Ishte vullnet nga ana ime dhe i diskutuar edhe nga komisioni”, ka thënë ai.