Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se ligji e përcakton se nuk do të ketë paga për ata që nuk punojnë.
Ministrja ka shtuar se SBASHK-u i ka lënë në baltë anëtarët e vet me papërgjegjësinë e tyre.
“Është definitive që ligji për greva neni 18 e përcakton qartë se mospunë nuk ka pagesë dhe është e vërtetë që ne këtë e kemi diskutuar më shumë se një herë me kryesinë e SBASHK-ut duke u siguruar që të përcjellin mesazhin te mësimdhënësit, në mënyrë që vendimet t’i marrin të bazuara në argumente”, ka thënë Nagavci në Context.
Kurse sa i përket mundësisë për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, Nagavci ka thënë se do të dalin brenda pak ditvësh.
“Mësimdhënësit do të paguhen në avanc brenda ditësh”, ka thënë Nagavci.
Ministrja Nagavci gjithashtu ka shtuar se orët e humbura do të kompensohen dhe se kanë rishikuar kalendarin.
“Në një situatë të tillë, ku për fat të keq kemi një kryesi të Sindikatës së Arsimit që i la në baltë të gjithë anëtarët e vet me një papërgjegjësi të plotë dhe madje edhe në këtë situatë kur do të duhej të ishin në diskutime për të parë se a mund të realizohet ndonjë gjë ata vazhdojnë me kërcënime se nuk do të kompensohen orët. Si qeveri jemi në dijeni për gjendjen socjo-ekonomike dhe për inflacionin si dhe jemi të vetëdijshëm për ligjet në fuqi dhe orët e humbura duhet të zëvendësohen”, shtoi ministrja e Arsimit.
Kujtojmë se sot ishte dita e fundit që sipas ligjit do të duhej të ekzekutoheshin pagat për mësimdhënësit.