Greva në arsim ka hyrë në javën e pestë, por që nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit është njoftuar gjatë ditës së djeshme se greva mund të përfundoj më 3 tetor.
Krejt kjo situatë ka ardhur pasi që Qeveria dhe grevistët nuk kanë gjetur një marrëveshje në kërkesat e sindikalistëve, të cilët kërkonin nga 100 euro shtesë deri në miratimin dhe jetësimin e ligjit të pagave.
SBASHK-u ka kërkuar mendimin e anëtarësisë për ndërprerjen e grevës deri në janar të vitit 2023 dhe që mësimi të filloj më 3 tetor.Të gjitha takimet që kanë pasur grevistët me liderët e institucioneve (presidenten, kryeministrin ministren e Arsimit), kanë përfunduar pa ndonjë marrëveshje e ku të dyja palët kanë akuzuar njëra- tjetrën për gjendjen e krijuar tash e pesë javë në sektorin e arsimit.
Ka qenë ministri i Financave, Hekuran Murati që në disa paraqitje publike ka ‘kërcënuar’ grevistët se përgjatë kohës sa janë në grevë nuk do të paguhen nga buxheti i shtetit, por që pagat për grevistët duhet të dalin nga sindikatat përkatëse që janë në grevë.
Por për dallim nga muaji i kaluar, kur grevistët u ishin vonuar pagat për disa ditë, burime të Gazeta Blic nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se për muajin shtator pagat nuk do të ndalen për grevistët dhe se ato pritet të ekzekutohen nesër.
“Nesër pritet të ekzekutohen pagat për sektorin publik, përfshirë këtu edhe grevistët në arsim dhe për ata të administratës publike”, ka thënë një burim i Gazetës brenda qeverisë së Kosovës.
Pesë javëshi që e ka përcjell sektorin e arsimit në grevë, sipas ekspertëve të arsimit ka bërë që fëmijët të humbin rreth 11 përqind të vitit shkollor, por që SBASHK disa herë ka thënë se orët e humbura gjatë grevës nuk do të kompensohen.
Ligji i Pagave aktualisht është në diskutim publik e ku më pas do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për votim nga deputetët.Nga opozita por edhe nga pozita disa herë është thënë se ky ligj mund të nis së zbatuari qysh nga fillimi i janari i vitit 2023 e jo sikurse ligjet e tjera që pas miratimit së paku duhet pritur gjashtë muaj që një ligj mund të nis së zbatuari.
Por ka pasur edhe deklarime prej më të ndryshmeve nga opozita se ligji i ri i pagave kurdo që votohet në Kuvendin e Kosovës, mund të përfundoj lehtësisht në gjykatën kushtetuese të Kosovës.