Për herë të parë në historinë e Universitetit të Prishtinës, çmimi për studentët e dalluar me emrin e atdhetarit Hasan Prishtina do të ketë vlerën monetare prej 500 eurove.
28 studentët e niveleve bachelor dhe master të Universitetit të Prishtinës që fituan çmimin „Hasan Prishtina”, u shpërblyen me gjithsej 14 mijë euro.
Këta studentë, çmimin prestigjioz e morën në një ceremoni solemne të zhvilluar më 1 tetor 2025 në Fakultetin Filozofik, në „Ditën e Studentit” dhe përvjetorin e protestave studentore të vitit 1997 për kthimin në objektet shkollore.
Atë ditë, studentëve të dalluar iu sugjerua që të kenë ëndrra të mëdha dhe të mendojnë me kokën e tyre.
Çmimi „Hasan Prishtina” është çmimi më i lartë për studentët, sipas Rregullores për procesin dhe procedurën e vendimmarrjes në përzgjedhjen e fituesve të titujve të nderit, çmimeve për studentët e dalluar dhe mirënjohjeve, që u miratua nga Senati i Universitetit të Prishtinës më 18 korrik 2025.