Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se 1907 studentë në programet bachelor dhe master, do të përfitojnë nga 1,000 euro bursë, për vitin akademik 2025-2026, shkruan AlbanianEducation.net.
Njoftimi i plotë:
🎓Për studentët tanë, mbështetje e vazhdueshme!
E lumtur të ndaj lajmin e shkëlqyer për bursat elitare të studentëve dhe mbështetjen për studentët me aftësi të kufizuara, në universitetet tona publike. 1907 studentë në programet bachelor dhe master, do të përfitojnë nga 1,000 euro, për vitin akademik 2025-2026.
Këto bursa janë një mbështetje konkrete për të fuqizuar rrugëtimin e tyre akademik dhe inkurajim që të vazhdojnë rrugën e ekselencës.
Këta të rinj e të reja janë shembull i mirë i punës së vazhduar, përkushtimit dhe talentit që ka vendi ynë.
Ne jemi këtu për të krijuar kushte sa më të mira për ta e për t’i mbështetur fuqishëm, sepse besojmë se investimi në dijen është investimi më i mirë për të ardhmen.
Urime dhe suksese të reja të gjithë përfituesve!