Shkolla fillore “Abdullah Shabani”, një ndër institucionet më të vjetra dhe më me renome në Mitrovicë, pritet së shpejti të marrë një pamje të re.
Kjo shkollë ka qenë për vite të tëra një simbol i cilësisë në arsim, jo vetëm në qytetin e Mitrovicës, por edhe përtej tij.
Megjithëse janë bërë investime të herëpashershme nga Komuna për mirëmbajtjen dhe renovimin e objektit aktual, godina e shkollës ka vazhduar të përballet me dëmtime të shumta si pasojë e vjetërsisë së saj. Kjo situatë ka ndikuar jo vetëm në mbarëvajtjen e procesit mësimor, por edhe në sigurinë dhe komoditetin e nxënësve dhe stafit arsimor.
Së fundmi, burime nga “Jepi Zë” marrin vesh se është hapur zyrtarisht tenderi për ndërtimin e një objekti të ri për shkollën “Abdullah Shabani”. Kjo është një kërkesë e kahershme e prindërve, stafit mësimdhënës dhe vetë nxënësve, e cila tashmë po shkon drejt realizimit.
Sipas dokumentacionit të tenderit që ka siguruar “Jepi Zë”, vlera e parashikuar e investimit për ndërtimin e shkollës së re arrin në rreth 1 milion e 200 mijë euro. Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të arsimit në qytet dhe një investim afatgjatë në të ardhmen e brezave të rinj.