Ai u largua nga kjo botë, por ti jeton…për ti treguar atyre më shumë se kushdo tjetër se jeta vazhdon.
Ti je nëna e tyre, vendin e babait ndoshta nuk e zëvendëson dot, por me kalimin e viteve do të mësosh të jesh edhe baba. Në sytë e tyre do të jesh superfuqi, do të të duhet që punët e mashkullit ti bësh e vetme, sepse ata janë akoma të vegjël për të të ndihmuar.
Më vonë duhet t’i mësosh që punët në shtëpi duhet të ndahen midis femrës dhe mashkullit, ku secili bën atë që i takon, sepse në të kundërt do të rritësh një vajzë e cila do të jetë e nënshtruar, duke bërë të gjitha punët në familje, edhe ato që nuk i takojnë, kurse djali yt nënshtruesi. Mos e bëj këtë të lutem, sepse në të ardhmen do të vuajnë edhe partnerët e fëmijëve të tu dhe s’do të jenë të aftë të krijojnë familje të lumtura.
Ngrihu në këmbë dhe qëndro e fortë edhe pse këmbët s’të mbajnë. Sytë e tu janë bota tani për ta. Mos loto, mësoju atyre të jenë të gëzuar në jetë. Qaj kur të jesh vetëm, do të kesh plot momente ku do të qash për ta ose me ta. Do te qash kur ata të rrëzohen e të vriten, kur të thërrasin mami, kur të fillojnë shkollën, kur të sëmuren dhe të rrish gjithë natën zgjuar e vetme, pa një shpatull ku të mbështetësh kokën, do të qash kur të diplomohen dhe të jenë gati për të dalë në jetë me profesionin e zgjedhur. Oh sa shumë do të qash!
Tani të vjen të bërtasësh, por të lutem mos e bëj…jo në prani të dy engjëjve të tu, nuk do të dëshirosh të shohësh në të ardhmen dy figura agresive që i rrite me duart e tua. Gjej forcën dhe fillo të jetosh për ta, mos hiq dorë, mos u largo të lutem…do të krijosh dy individë që shkojnë deri në gjysmë të rrugës dhe lëndohen…lëndojnë edhe të tjerë.
Ti je e aftë të punosh dhe të jesh e pavarur. Që sot mund të gjesh një punë dhe të shtosh të mirat materiale në familjen tënde, kështu mund të plotësosh nevojat dhe dëshirat e tua dhe të fëmijëve. Të lutem beso në veten tënde që të mundesh, do të munden edhe fëmijët e tu nesër të zgjedhin dhe të jenë të pavarur.
Falu atyre shumë dashuri, që ta marrësh 10-fish më vonë, buzëqeshu dhe këndoju, luaj me ta. Ti erdhe në këtë botë për të qenë një nënë dhe misioni yt është i shenjtë.
Të lutem jeto që të jetojnë edhe fëmijët e tu! Mos i vrit ata!
/Revista Psikologjia