Përzgjedhja e mësuesve, drejtorëve dhe nëndrejtorëve në shkollat e arsimit 9-vjeçar, dhe gjimnaze do të kalojë tërësisht nëpërmjet konkurrimit të hapur.
Sipas përcaktimeve të reja të detajuara në tre udhëzimet zyrtare të miratuara pak ditë më parë nga Ministria e arsimit, (zbardhja e të cilëve është bërë gjatë ditës së djeshme), thuhet se për të fituar një vend pune mësuesit, drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave të arsimit parauniversitar duhet të konkurrojnë me anë të dosjes së dokumenteve, teksa do t’u nënshtrohen edhe vëzhgimeve nga ekspertët, lidhur me modalitetet e zhvillimit të orëve mësimore apo drejtimit të institucionit shkollor.
Njësia arsimore vendore përkatëse shpall në vende të dukshme të faqes së saj elketronike si dhe në shkollë pozicionet e lira të punës për postet e mësuesve dhe drejtorëve të shkollës. “Drejtori i institucionit publik të arsimit parauniversitar, brenda 5 ditëve nga data kur vendi i një mësuesi është i lirë, duke zbatuar aktet nënligjore për përcaktimin e normave për ngarkesën mësimore-edukative dhe për numrin e nxënësve në institucion, shpall kërkesën për mësuesin e ri në një mjedis publik të institucionit dhe në faqen e tij zyrtare të internetit”, citohet në udhëzimin e miratuar nga MAS. Ndërsa në rastin e drejtorit dhe nëndrejtoriy ndryshojnë vetëm afatet e shpalljes. Dokumentacioni i aplikimit dorëzohet në drejtorinë e institucionit publik të arsimit parauniversitar, jo më vonë se dhjetë ditë pas shpalljes së kërkesës për mësues nga institucioni publik i arsimit parauniversitar.
Komisioni
Komisioni i vlerësimit të kandidatëve për pozicionin e mësuesit, drejtorit apo nëndrejtorit ngrihet nga bordi i institucionit në bashkëpunim me njësinë arsimore vendore përkatëse (Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR)/Zyra Arsimore (ZA)). komisioni i vlerësimit (komisioni) përbëhet: “Nga një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, nga kryetari i bordit të institucionit, nga kryetari i këshillit të prindërve të institucionit, nga dy mësues që zgjidhen nga këshilli i mësuesve”. Po në të njëjtën formë veprohet edhe me komisionin që do të përzgjedhë drejtorin dhe nëndrejtorin. Komisioni mblidhet në mjediset e institucionit publik të arsimit parauniversitar ose të njësisë arsimore vendore, jo më vonë se 3 ditë pas përfundimit të afatit të dorëzimit të dokumentacionit të aplikimit dhe kur janë të pranishëm të gjithë anëtaret e tij. Çdo anëtar i komisionit e vlerëson intervistën me piket nga 1 në 20 në rastin e drejtorit dhe nëndrejtorit, si dhe nga 1 deri në 10 pikë kur konkurrohet për postin e mësuesit. Pas vlerësimit të dosjes komisioni mbledh pikët e secilit aplikant, duke veçuar dy prej tyre me shumën më të madhe të pikëve dhe duke përcaktuar kështu kandidatët e mundshëm për drejtor. Brenda tri ditëve, komisioni shpall në një vend publik në institucion tabelat e pikëve të secilit aplikant. Aplikantët që nuk fitojnë kanë të drejtë të paraqesin ankim para komisionit brenda tri ditëve nga shpallja e pikëve.
Kriteret dhe dokumentacioni i aplikimit për postin drejtor shkolle
Kandidati për drejtor shkolle duhet:
Të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të sipas legjislacionit përkatës.
Të ketë paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar”
Të mos ketë masa disiplinore në fuqi ndaj tij.
Dokumentacioni i aplikimit për drejtor duhet të përmbajë:
Cv-në dhe kopjet që dëshmojnë pohimet në
Tabelën e plotësuar me të dhënat për aplikant
Dëshminë e penalitetit të lëshuar jo më herët se tre muaj para datës së aplikimit
Dy rekomandime nga mësues, drejtorë të institucioneve arsimore, ose titullarë të
njësive arsimore vendore që kanë punuar me aplikantin gjatë viteve të fundit.
Dokumentacioni i aplikimit, i përcaktuar, dorëzohet në sekretarinë e njësisë arsimore vendore.
Dorëzimi i dokumentacionit kryhet jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së kërkesës për drejtor të institucionit publik të arsimit parauniversitar.
Zëvendësimi i përkohshëm i drejtorit
Kur drejtori i institucionit publik të arsimit parauniversitar nuk e ushtron përkohësisht detyrën e tij, ai zëvendësohet nga nëndrejtori. Kur institucioni nuk ka nëndrejtor, drejtori zëvendësohet nga një mësues i institucionit. Nëndrejtori ose mësuesi, që zëvendëson përkohësisht drejtorin, caktohet nga titullari i njësisë arsimore vendore përkatëse.
Rastet kur shkarkohet nga puna
Titullari i njësisë arsimore vendore shkarkon drejtorin e një shkolle në rastet e shkeljeve flagrante, ose kur ka një vendim të formës së prere ndaj tij nga gjykata kompetente për rastet e mëposhtme:
Ka falsifikuar dokumente zyrtare
Ka nxitur vartësit e tij të falsifikojnë dokumente zyrtare
Ka ushtruar dhune fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit
Ka ngacmuar seksualisht nxënës ose punonjës të institucionit
Ka përvetësuar fonde financiare ose materiale të institucionit
Ka organizuar kurse me pagesë me nxënësit që mëson dhe me nxënësit e shkollës së tij.
Ka organizuar kurse me pagesë me nxënës jashtë shkollës së tij, kur nuk është i licencuar për të ushtruar këtë veprimtari private
Ka marre ryshfet
Ka bërë deklaratë të rreme në procesin e aplikimit
Ka ndërhyrë në përzgjedhjen e teksteve nga mësuesit e institucionit
Konkurrimi në postin e nëndrejtorit të shkollës
Dokumentacioni i aplikimit dhe afati i dorëzimit të dokumenteve në komision
Kandidati për drejtor i institucionit publik te arsimit parauniversitar duhet:
Të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të sipas legjislacionit përkatës.
Të ketë paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar”
Në provimin e kualifikimit të jetë vlerësuar me “shumë mirë”, ose “mirë”
Të mos ketë masa disiplinore në fuqi ndaj tij.
Kontratat e punës si mësues, ja si fitohen
Drejtori i shkollës brenda 5 ditëve nga data kur vendi i një mësuesi është i lirë, duke zbatuar aktet nënligjore për përcaktimin e normave për ngarkesën mësimore-edukative dhe për numrin e nxënësve në institucion, shpall kërkesën për mësuesin e ri në një mjedis publik të institucionit dhe në faqen e tij zyrtare të internetit.
Dokumentacioni i aplikimit për mësues
Kandidati për mësues duhet të përmbushë kushtet dhe të plotësojë kriteret që përcaktohen në Kontratën Kolektive të Punës të nivelit të parë.
Paketa e aplikimit për mësues përmban:
CV dhe kopje të dëshmive apo dokumente që vërtetojnë pohimet në CV
Tabelën e të dhënave për aplikant
Raportin mjeko-ligjor
Dëshminë e masave disiplinore në fuqi në ngarkim të tij (Nëse nuk ka, e deklaron me shkrim që nuk ka).
Dëshminë e penalitetit, të lëshuar jo më herët se tre muaj para datës së aplikimit
Dy rekomandime nga mësues ose drejtore të institucioneve arsimore që kanë punuar me aplikantin
Dokumentacioni i aplikimit dorëzohet në drejtorinë e institucionit publik të arsimit parauniversitar.
Rastet e largimit të mësuesit nga puna
Drejtori e largon mësuesin nga puna në rastet e shkeljeve flagrante ose kur ka një vendim të formës së prerë në ngarkim të tij nga organet kompetente për një ose më shumë nga rastet e mëposhtme:
Ka falsifikuar dokumente zyrtare
Ka nxitur vartësit e tij të falsifikojnë dokumente zyrtare
Ka ushtruar dhune fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit
Ka ngacmuar seksualisht nxënës ose punonjës të institucionit
Ka përvetësuar fonde financiare ose materiale të institucionit
Ka organizuar kurse me pagesë me nxënësit që mëson ose me nxënësit e shkollës së tij
Ka organizuar kurse me pagesë me nxënës jashtë shkollës së tij, kur nuk është i licencuar për të ushtruar këtë veprimtari private
Ka marre ryshfet
Ka bere deklarate te rreme ne procesin e aplikimit.
Drejtori e largon mësuesin nga shkolla edhe për mosarritje të nxënësve
Drejtori merr nismën e largimit të mësuesit nga puna, kur mësuesi kryen shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, Kontratës Kolektive ose individuale të punës dhe të legjislacionit në fuqi.
Drejtori konsultohet me komisionin, para se të vendosë për largimin e mësuesit. Komisioni shqyrton provat që drejtori i paraqet. Kur shumica e komisionit nuk i konsideron të mjaftueshme provat, drejtori grumbullon prova të tjera, ose anulon largimin e mësuesit, ose i jep mësuesit 6 muaj prove.