Kush ia ka mësy garës për anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së?

- Advertisement -
7 gra e 10 burra kanë aplikuar për pozitën e anëtarit në Këshill Drejtues të Universitetit të Prishtinës nga radhët e personelit akademik të UP-së.

Përderisa UP pritet që në javën e fundit të muajit qershor t’i zgjedhë pesë anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues, kandidatët që kanë aplikuar për këtë pozitë janë: Zijadin Guri, Genc Rezniqi, Getiana Beqa-Ahmeti, Salihe Salihu, Arian Krasniqi, Kurtesh Sherifi, Shqipe Lohaj, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Labinot Shahini, Bedri Dragusha, Mimoza Ibrani, Besa Luzha, Vjosa Fejza-Ademi, Eliot Bytyçi, Egzon Daku dhe Teuta Jashari-Kajtazi.


KALLXO.com ka siguruar raportin e komisionit zgjedhor për menaxhimin e procesit zgjedhor për anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së, të datës 20.06.2025, në të cilin janë bërë të ditur se 16 prej këtyre kandidatëve plotësojnë kriteret për t’u zgjedhur në këtë pozitë, përveç Salihe Salihu, pasi nuk është pjesë e personelit akademik të UP-së.

- paragrafi 1 -

 

- Advertisement -

 

Këshilli Drejtues i UP-së është organi kryesor qeverisës i Universitetit, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote.

Ndonëse, KALLXO.com ka një javë ditë që ka kërkuar konfirmim fillimisht nga Rektorati i UP-së, pastaj nga komisioni zgjedhor, nëse 16 nga emrat e propozuar kanë aplikuar për anëtarë në Këshill Drejtues, por as Rektorati, as komisioni zgjedhor nuk janë përgjigjur.

- Advertisement -

Komisioni zgjedhor për menaxhimin e këtij procesi zgjedhor përbëhet nga: prorektorja Majlinda Zhitija-Gjelaj, senatorja Kreshnike Dedushi-Hoti dhe dekani Florian Miftari.

Kush janë kandidatët që synojnë Këshillin Drejtues?

 

 

Prej 17 kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së nga personeli akademik, tre prej tyre janë veçse të njohur për Këshillin Drejtues aktual.

Profesorët Arian Krasniqi, Selim Bezeraj dhe asistenti Rifat Krasniqi, janë anëtarë në Këshillin Drejtues aktual, të cilëve u përfundon mandati më 01.10.2025.

Arian Krasniqi është profesor në Fakultetin e Arteve, Selim Bezeraj është profesor në Fakultetin Filozofik dhe Rifat Krasniqi është asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike (FIM).

Për këta tre anëtarë, nëse zgjedhen sërish nga Senati i UP-së, ky do të jetë mandati i tyre i dytë në këtë pozitë. Dhe kjo iu lejohet sipas pikës 2, nenit 17 të Statutit të UP-së, në të cilën thuhet “mandati i anëtarëve të Këshilli Drejtues zgjat tre vjet me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat”.

 

 

Ndërsa, kandidatët Kurtesh Sherifi dhe Mimoza Ibrani kanë qenë për dy vite prorektorë në kohën e ish-rektorit Naser Sahiti. Mirëpo, sipas vendimit të Këshillit Drejtues të datës 24.10.2022, këta u shkarkuan nga pozita e prorektorit, pasi u shkarkua ish-rektori Sahiti.

Kurtesh Sherifi është profesor i rregullt në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, kurse Mimoza Ibrani është profesoreshë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Mirëpo, sipas paragrafit 4 të nenit 7 në Rregulloren për Rregullat dhe Procedurat për Zgjedhjet e Përgjithshme të Personelit Akademik dhe Joakademik në nivel të përfaqësimit të UP-së të datës 07.03.2024, ka një kufizim në të drejtën e zgjedhjes.

Në këtë Rregullore të UP-së thuhet se “nuk kanë të drejtë të zgjedhen në pozitat rektor, prorektor, dekan dhe prodekan, të gjithë ata/ato të cilëve i është shqiptuar masa e shkarkimit nga pozita që kanë ushtruar, në tre vitet e fundit”.

Profesori Sherifi dhe profesoresha Ibrani janë të shkarkuar në tre vitet e fundit nga pozita e prorektorit, sipas vendimit të Këshillit Drejtues të datës 24.10.2022.

Nga data 16.06.2025, KALLXO.com e ka pyetur komisionin zgjedhor: prorektoren Majlinda Zhitija-Gjelaj, senatoren Kreshnike Dedushi-Hoti dhe dekanin Florian Miftari, nëse do t’iu lejohet Sherifit dhe Ibranit kandidimi për anëtarë në Këshill Drejtues, por ata nuk janë përgjigjur.

E në bazë të raportit të këtij komisioni zgjedhor të datës 20.06.2025, Kurteshi dhe Ibrani janë në mesin e kandidatëve që përmbushin kriteret për të garuar në zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së.

Kandidati Zijadin Guri është profesor asistent në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në UP.

 

 

Genc Rezniqi është profesor asistent në Fakultetin e Arteve të UP-së.

Gentiana Beqa-Ahmeti është profesoreshë asistente në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. Beqa-Ahmeti është edhe kampione e bodybuildingut dhe fitnesit në botë.

Shqipe Lohaj është profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK).

Labinot Shahini dhe Egzon Daku janë asistent në Fakultetin e Mjekësisë.

Bedri Dragusha është profesor i asociuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Dragusha kishte qenë dekan në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP më 2012 deri 2016, si dhe nga viti 2020 deri 2024.

Besa Luzha është profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Arteve të UP-së. Në vitin 2019, Luzha kishte qenë kandidate për deputete nga koalicioni i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosvës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD) në vitin 2019.

Vjosa Fejza-Ademi është profesoreshë asistente në Fakultetin Ekonomik të UP-së.

Eliot Bytyçi është profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN).

Teuta Jashari-Kajtazi është prodekane për çështje mësimore dhe të studentëve në Fakultetin e Arkitekturës në UP, si dhe profesoreshë e asociuar në këtë Fakultet.

Në raportin e komisionit zgjedhor të datës 20.06.2025 e kanë përmendur se prodekanja Jashari-Kajtazi e ka deponuar letrën e dorëheqjes nga pozita e prodekanes në Fakultetin e Arkitekturës më 16.06.2025, e cila thuhet se është me protokol të datës 12.06.2025.

Pasi sipas Rregullores së Punës së Senatit, nenit 25, nuk mund të kandidojnë për anëtarë të Këshilli Drejtues: rektori, prorektorët, dekanët dhe prodekanët, anëtarët e Senatit. Kurse, mund të kandidojnë të gjithë anëtarët e personelit akademik të UP-së që kanë marrëdhënie të rregullt pune në UP.

Aktualisht, Këshilli Drejtues i UP-së ka këta katër anëtarë të zgjedhur më 17.09.2021 nga ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, të cilët janë: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela-Turjaka (Zëvendëskryesuese), Hajrullah Koliqi dhe Arta Shehu Zaimi. Këta anëtarë janë në vitin e katërt të mandatit të tyre në Këshill.

Kurse, pesë anëtarët nga personeli akademik i UP-së në Këshill Drejtues janë: Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Selim Bezeraj dhe Rifat Krasniqi.

Ky Këshill ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij. / Marrë nga KALLXO.com