I trishtueshëm ishte lajmi i djeshëm për vrasjen e 14 vjeçarit afër shkollës ‘Hilmi Rakoviza’ në kryeqytet.
E më e trisht ishte edhe rrjedhoja e ngjarjes, se si 14 vjeçari u vra me anë të një thike nga bashkëmoshatari i tij, shkruan syri.net Kosova.
E vrasje e incidente të tilla janë bërë rutinë e ngjarjeve ditore nga Policia e Kosovës. Kjo për faktin se pothuajse çdo ditë hasim në njoftime të tilla.
Vrasja e 14 vjeçarit tronditi kryeqytetin
Psikologu Yll Avdijaj në një përgjigje për Syri.net Kosova është shprehur i tronditur nga rasti i djeshëm. Psikologu jep theks të veçantë anës emocionale të prindërve e po ashtu edhe të bashkëmoshatarëve të personit tashmë të ndjerë për mënyrën si ai u privua nga jeta.
‘Rasti i vrasjes së 14 vjeçarit, padyshim se është një ngjarje tronditëse si për familjaret po ashtu edhe për bashkëmoshataret dhe opinionin e gjerë! Një ngjarje e tillë mund të jetë traumatike për bashkëmoshataret nxënës e po ashtu edhe për të gjithë ata që kanë marrë lajmin edhe në format e tjera indirekte; dukuri të tilla si kjo mund të zgjojnë frikën dhe pasigurinë të nxënësit e po ashtu edhe te prindërit të cilët mund të ndjehen të shqetësuar për fëmijët e tyre’, tha psikologu për Syri.net Kosova.
Sipas psikologut, kjo ndodhi shpien tek një problem zinxhiror që lidh prindërit me fëmijët e tyre dhe mësuesit.
Psikologu thotë se në shoqërinë tonë është duke munguar një bashkëveprim dhe një lidhje komunikuese mes tri palëve (prindër-fëmijë-mësues).
‘Nëse flasim për përgjegjësinë, atëherë mund te them se ajo ndahet në disa drejtime, në këtë rast një përgjegjësi e lartë është mbi prindërit te cilët e kane për detyre te kujdesen për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve te tyre, pastaj janë mësimdhënësit dhe hierarkia e shkollës e cila duhet të jetë e njoftuar për problemet dhe shqetësimet e po ashtu edhe gjerat e dyshimta që nxënësit mund të kenë!
Pastaj është lidhja komunikuese dhe bashkëpunuese ‘mësimdhënës-prind-nxënës’. Në mungesë të këtij bashkëveprimi, sigurisht se edhe dukuritë devijonte mund të jenë me prezentë në mjediset e shkollave dhe në mes nxënësve, dhe kjo padyshim se do te krijojë një ambient fiksues dhe të pasigurte për nxënësit, dhe normalisht se do ta afektoj negativisht aspektin psiko-emocional të tyre, përfundoi Yll Avdijaj.
Edukimi dhe siguria e fëmijëve duhet të jetë prioritet shtetëror
Kjo vrasje ‘shokuese’ u quajt edhe nga Këshilli i Prindërve në Prishtinë, të cilët me anë të një reagimi kanë bërë apel që edukimi dhe siguria e fëmijëve duhet të jetë prioritet shtetëror.
‘Vrasja ende e pazbuluar e Rijad Hysenit, nxënës i klasës së nëntë, mëngjesin e sotëm rrugës për në shkollën e Prishtinës, në lagjen Kodra e Trimave, është një lajm shkues për ne si Këshill i Prindërve!
Edukimi dhe siguria e fëmijëve tanë duhet të bëhet prioritet shtetëror e të ketë strategji për këtë, jo vetëm fjalë e fjalë! Duhen psikologë e sociologë në shkolla dhe trupa patrulluese pranë shkollave’, thuhet në reagim.
Fëmijët janë pasuria e vendit
Tutje, reagim mbi këtë ngjarje pati edhe nga opinionistja, Laureta Berisha Kasumi e cila ndanë të njëjtin mendim me psikologun, Yll Avdijaj.
Në të njëjtën kohë ajo thotë se fëmijët janë pasuria e vendit tonë, të cilët duhet rritur me përkushtimin më të madh dhe ndershmëri.
Ajo me anë të një reagimi ka bërë apel tek të gjithë prindërit e mësuesit që t’u kushtojnë kohë të mjaftueshme fëmijëve në mënyrë që ata të ju njoftojnë për të gjitha brengat.
‘Sot e çdo ditë në shkollat tona duhet të flitet për tolerancën dhe respektin ndaj njëri tjetrit, e edukimi i mirëfilltë i brezave të rijnë, duhet të jetë primar për çdo prind dhe mësues.
Sot e gjithmonë duhet të kuptojmë se koha e ndarë tani me fëmijët tanë, është mundësia më e mirë e njohjes së të gjitha brengave të tyre, aq më tepër në periudha delikate si adoleshenca.
Duhet të kuptojmë se në familje rolin e nënës nuk e zë babai dhe anasjelltas, andaj për të krijuar breza stabil, duhet të marrin pjesë të dy prindërit në gjithçka rreth fëmijëve, me qetësi dhe dashurinë më të madhe, që nga momenti që kanë lindur e në çdo kohë’, u shpreh ajo në një reagim publik, raporton syri.net Kosova.
Policia e Kosovës/ 413 incidente të ndryshme në shkolla në nivel vendi
E sipas Policisë së Kosovës në një përgjigje për syri.net Kosova thuhet se në gjithë territorin vetëm gjatë vitit 2021 janë raportuar gjithsej 413 incidente në shkolla.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se nga 01.01. 2021 e deri me 31.12.2021 jane raportuar gjithsej 413 incidente të ndryshme në shkolla në nivel vendi.
Policia e Kosovës në fillim të çdo viti shkollor harton dhe aktivizon Plane Operative me qëllim të parandalimit të dukurive negative në shkolla dhe ngritjes së nivelit të sigurisë. Po ashtu edhe nga Drejtoria e Policimit ne Bashkësi dhe Preventive në vazhdimësi realizohen projekte të ndryshme sensibilizuese dhe parandaluese në shkolla”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Kujtojmë që për rastin e 14 vjeçarit reaguan shtresa të ndryshme duke filluar nga kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.