Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për miratimin e dhënies së pagës së 13 – të për punonjësit që marrin pagë nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
Ekzekutimi i vendimit sipas kryeministrit Albin Kurti, do të bëhet të martën.
Ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se përveç atyre që kanë punuar 12 muajt e kaluar në sektorin publik, do të ndahet pagë e pjesshme edhe për ata që nuk kanë përmbushur plotësisht 12 muaj punë në sektorin publik.
“Kanë qenë disa raste kur është shikuar se si të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Është rasti i të gjithë atyre personave që kanë dymbëdhjetë muaj të plotë në sektorin publik dhe marrin pagën e 13-të të plotë. Ajo është e barabartë në vlerën e koeficientit e shumëzuar me njësinë e koeficientëve që kanë pozitat përkatëse për personin që është në listën e pagave në muajin mars. Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë. Edhe në këto raste do të merret mesatarja e pagës së marrë në këta 12 muajt e fundit. Njëkohësisht, jemi kujdesur për gratë lehona që janë ose kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë kësaj periudhe 12-mujore; muajt e kaluar të pushimit të lehonisë t’u njihen sikurse muaj që kanë punuar me orar të plotë”, theksoi Murati