“Varfëria jonë po shndërrohet në greva. Sepse as mësuesit, as mjekët e askush nuk mund të durojë që qeveria të ia rrisë rrogat vetes që nuk punon, por nuk ia rrit atyre që vërtetë punojnë”, disa fjalë të dala më 2019, nga opozitari Albin Kurti.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dikur kur ishte në opozitë – i mbronte me të gjitha forcat mjekët dhe mësuesit kur ata grevonin për rritje të rrogave.
“Nuk ka kuptim që injoranti e hajni që ka hipur atje lart të paguhet me dhjetëra mijëra euro në vit, të marrë mëditje, të shëtitet me makina zyrtare e shoferë, ndërsa mësuesi e mjeku e punëtori i administratës të paguhet më pak sesa që pushtetari i shpenzon për telefon mobil a për dreka e darka”, pati thënë lideri i Vetëvendosjes në vitin 2019, teksa fliste para njerëzve të tij në mbledhjen e XXXVI, të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes.
“Varfëria jonë po shndërrohet në greva. Sepse as mësuesit, as mjekët e askush nuk mund të durojë që qeveria të ia rrisë rrogat vetes që nuk punon, por nuk ia rrit atyre që vërtetë punojnë. Sigurisht, ne nuk duam që mësuesit e mjekët të ndërpresin punën, sepse nxënësit kanë nevojë për mësim dhe të sëmurët për shërim. Por ne e kuptojmë thellësisht gjendjen e vështirë të atyre që punojnë në administratë publike e sidomos të mjekëve e të mësuesve”, vazhdonte fjalimin Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
Madje, Kurti si opozitar, pati bërë edhe një premtim për këto kategori.
“Kur qeverinë ta udhëheqë Lëvizja VETËVENDOSJE! ne do të kujdesemi që pabarazia mes tyre dhe qeveritarëve të zvogëlohet shumë, dhe që statusi social i mësuesve e i mjekëve të jetë shumë më i mirë se sa sot”.